Fati i studentëve zgjidhet si lojrat e fatit
Informacioni i lëshuar nga zyra për Komunikim me Marrëdhënie me Jashtë e Fakultetit të Mjekësisë, në Tiranë, rreth regjistrimi me short të kandidatëve të Luginës së Preshevës, ka brengosur të shtatëmbëdhjetë kandidatët të cilët janë dëshpëruar nga ky vendim i fakultetit, që për herë të parë po ndodh në historinë e Luginës rreth regjistrimit të studentëve në Shqipëri.
Lidhur me këtë RTB sot ka intervistuar dy prej kandidatëve njëra nga Bujanoci, Arlinda Salihu dhe tjetra nga Tërnoci, Albulena Ajdini, të cilat janë shprehur të revoltuar dhe dëshpëruar sepse janë lënë në duart e fatit.
Informacioni rreth regjistrimit me short e ka konfirmuar edhe zëvendësministrja e arsimit në Republikën e Shqipërisë, Nora Malaj, ajo ka thënë për TV Preshevën dje se kandidatët, duhet t’i nënshtrohen një shorti, pas përfundimit të procesit të selektimit.
Përmes njoftimit të lëshuar nga zyra për Komunikim me Marrëdhënie me Jashtë e Fakultetit të Mjekësisë, në Universitetin e Tiranës, janë ftuar të 17-të kandidatët për të marrë pjesë në shortin që do të zhvillohet nesër, në orën 9:00 në ambientet e këtij fakulteti. Deri më tani nuk është aplikuar një praktikë e tillë në asnjë nga universitetet e rajonit, që përmes “fatit” të regjistrohesh në fakultet./BujanociNet/


