Fundamenti

Ikni policia!

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Avni Zogiani – Zgjedhjet shumë te suksesshme në Kosovë. Kështu po na thonë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është delegjitimuar e deinstitucionalizuar.

Integriteti i zgjedhjeve u realizua nga policia e prokuroria. Vendimi i KQZ-së për zgjedhjet në Veri varet tërësisht nga haberi që do të sjellë kryeministri nga Brukseli. Ditën e zgjedhjeve janë ndaluar e paraburgosur 35 veta për manipulim zgjedhjesh. Në veri zgjedhjet u shkatërruan nga një grusht njerëzisht ndërkohë që policia bënte tifozllëkun. Zgjedhjet, po na thonë, i keni bërë shumë mirë. E kur ata janë të kënaqur, ne jemi të lumtur.

Në të vërtet asnjë të vetmin argument të fortë nuk mund ta nxjerrë dikush për të mbështetur pretendimin se zgjedhjet ishin të rregullta dhe të suksesshme. Zgjedhjet po shihen vetëm nga këndvështrimi i pranisë ose mungesës së dhunës, apo mbushjes së kutive mbas darke. Nuk ka asnjë zhvillim institucional që na lë vend për t’u mburrur se ne kemi tashmë kapacitete që të sigurojmë një proces zgjedhor me integritet.

Në rast se zgjedhjet i shohim nga këndvështrimi i pranisë së policisë e prokurorisë në terren dhe konstatojmë se ky ishte zhvillimi kryesor dhe ky ishte ndoshta faktori kryesor për mungesë të incidenteve e të rasteve të manipulimeve të mëdha, atëherë kemi dalë tërësisht nga binarët e argumentimit.

Jemi duke folur për një logjikë që në fakt favorizon degradimin e integritetit të zgjedhjeve jo sigurimin e tyre. Zgjedhjet nuk duhet, e nuk ka ndodhë ndonjëherë, të bëhen nën kërcënimin e policisë e prokurorisë, por ato rëndom, në vende normale, organizohen e barten nga institucionet që janë ndërtuar ekskluzivisht për zgjedhje.

Me këtë logjikë ne mundemi të përmirësojmë zgjedhjet deri në perfeksionim. Çojmë nga një polic në secilin vend ku qytetarët votojnë, mbajmë një kordon policor në hyrje të objekteve ku votohet, apo edhe mund t’i bartim votimet nëpër stacione policore. Pse të vëmë në lëvizje një numër kaq të madh të policëve, ndërkohë që qytetarët edhe ashtu kanë për të dalë në zgjedhje, dhe thjesht në vend të shkollave, shkojnë në stacione policore për të votuar.

KQZ dhe përfaqësuesit e zyrtarët zgjedhor janë shkelur jo vetëm me përdorimin e policisë. KQZ në vazhdimësi ka alternuar vendimet e saja nën intervenimin direkt të politikës. Dje kryeministri urdhërojë atë që ta shkel arsyen, kushtetutën dhe vullnetin e vet për të ndërruar vendimin për mbajtjen e simboleve dhe vulave në materialet zgjedhore, sot KQZ pret që vendimin e vet ta subordinojë nga porosia që kryeministri do të marrë në Bruksel. Pra, këtu thjesht po flasim për zgjedhje të organizuara nga shteti e jo nga institucionet e thirrura për këtë proces.

Uji Dea

Duke mos folur fare për rolin e KQZ-së në zgjedhje, përfshirja e policisë e prokurorisë në zgjedhje pothuajse nuk i pengon askujt. Të gjithë njerëzit shfaqen entuziast për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, dhe mënjëherë mbas kësaj fjalie shtojnë fjalë miradie për policinë. Nuk shohin asnjë problem këtu, dhe pikërisht kjo do duhej të nga brengoste shumë.

Sido që të jetë policia e Kosovës nuk e kreu detyrën aty ku kërkohej më shumë. Në veri policia thjesht u shndërrua në spektatore të bandave serbe.

Kur jemi te kjo, a ka mundësi dikush t’ia preferojë një kontrollë mjekësor ministrit të brendshëm Bajram Rexhepit? Nëse ai ndodhet në Kosovë e nuk flet prej ndonjë vendi të largët, deklarata e tij se policia kreu punën e vet në Veri, është e mjaftueshme për psikiatrin e tij që ta thërrasë në një seancë ekzaminimi.

Në fund, për mendimin tim, është më pak e rëndësishme si na i vlerësojnë të tjerët zgjedhjet dhe përgjithësisht përparimin në Kosovë. Zgjedhjet e mira apo jo, mbisundimin e ligjit, apo edhe integritetin institucional e kemi para së gjithash për vete dhe duhet ta shohim e vlerësojmë vetë.

Nuk duhet të na hallakasë opinioni i tjerëve për institucionet tona sa percepcioni ynë për to. Kjo i ngjan shumë situatës së vlerësimeve që na vijnë mbi të ashtuquajturën “të bërit biznes”. Kosova vendi më i mirë në botë, por më i varfëri ama. Ideja e ekonomisë është rritja e mirëqenies, apo jo? Ngjashëm me zgjedhjet, na thonë që kemi pasur një përmirësim të jashtëzakonshëm dhe se secilat zgjedhje për Kosovën janë historike.

Megjithatë, pakkush nuk pajtohet me faktin se zgjedhjet sado të konsiderohen se po përmirësohen progresivisht, nuk kanë kontribuar fare në përmirësimin e politikës kosovare, ajo akoma është thelbësisht e korruptuar dhe e kriminalizuar. Në rastin e parë, pra në “bërjen e biznesit”, dihen arsyet, shteti i është vënë në dispozicion biznesit.

Kurse në rastin e dytë çka ndodhë, zgjedhjet i janë vënë në dispozicion shtetit. E nëse shteti i është në dorë të biznesit, e zgjedhjet në dorë të shtetit, logjikisht i bie që edhe zgjedhjet i janë vënë në dispozicion biznesit. E ne thjesht jemi varfëruar më shumë se kurdoherë, gati në secilin sens.