Landskrona ia heq suspendimin Lecit
Liridon Leci nuk e ka ndërmend të kthehet më tek Landskrona BOIS, të paktën pa i kërkuar falje publike. Mbrojtësi kosovar, ditë më parë u pezullua nga klubi, pasi sipas tyre, Federata e Futbollit e Suedisë është duke hetuar lojtarin për disa ndeshje të kurdisura. Leci ka deklaruar të mërkurën, se drejtuesit e klubit ia kanë hequr suspendimin.
“Të hënën më ka thirrur drejtori i klubit, me të cilin jam takuar. Ai më ka thënë se mund të kthehem në përgatitje dhe se më është hequr suspendimi. Unë nuk kam pranuar të kthehem, sepse kjo nuk është primare për mua. Kërkesa ime është që ata të dalin në media dhe të më kërkojnë falje publike, dhe ta fshijnë emrin tim nga kjo punë”, tregon Leci për Arenën.
Sidoqoftë, ai ka kërcënuar se do ta padis klubin e tij. “Iu kam thënë se nëse nuk kërkojnë falje, do ta thërras avokatin tim dhe njëkohësisht do të kontaktojë me Shoqatën për Mbrojtjen e Futbollistëve”. Leci shton se i gjithë ky problem erdhi pasi tifozët e klubit ishin kundër kryesisë. “Tifozët bënin parulla për t’u larguar kryesia, kurse këta deshën që vëmendjen ta largojnë prej tyre dhe ta përqendrojnë tek unë”, shtoi mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës…(Tribuna – Arena).


