Hidromorava

Poeti edhe pas vdekjes, frymon përmes veprës

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Sabit Rrustemi – Para tri vitesh, në edicionin e parë të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, ne si Ars Club i shkrimtarëve, me emrin e Beqir Musliut, shënuam 70 vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e krijimtarisë letrare të poetit Haxhi Vokshi.

As që do na ketë shkuar në mendje se tri vite më pas, po në kuadër të këtij Manifestimi, do mblidhemi për ta nderuar pak ditë pas vdekjes, njeriun që mbi gjysmë shekulli i dha letërsisë shqipe gjashtë vëllime poetike, mes viteve 1972 – 2008 si dhe një pjesë të tyre, mbetur dorëshkrime që, sigurisht në një të ardhme jot ë largët, do t’i botohen.

Haxhi Vokshi, i cili me Gjilanin u lidh më shumë në saje të dashurisë së tij të jetës, Makfire Dedës – Vokshit, një pishtare e arsimit anamoravas, prej librit dhe penës nuk u nda thuaja asnjë çast, deri në ditën e 19 tetorit 2013, kur, papritur vdekja e la pa frymë.

Qoftë si profesor gjimnazi këtu në Gjilan, si zyrtar arsimi në Prishtinë apo edhe si zyrtar biblioteke deri në pension, po në Prishtinë, Ai, mikun më të afërt dhe më të përditshëm, do ta ketë librin. Dhe, poezinë, me të cilën do bashkëjetojë e bashkëbisedojë përmes penës dhe letrës së bardhë. Sepse, pikërisht kjo e fundit, poezia, i a jepte mundësinë për ta shpërfaqur mallin e tij për Vendlindjen, për Vokshin dhe Dukagjinin, për Kosovën të cilën e dashti dhe i këndoi pareshtur.

E, kjo shihet, që nga “Shqetësimet e Vargut” e, deri te “Testament i tokës”. Ai, do jetë fizikisht këtu, në Gjilan, pesëdhjetë e sa vite por, shpirtërisht, përherë do jetë atje, ku u lind, ku la fëmijërinë dhe, më të dashurit. Atje, ku me ëndje dhe mendje shkonte çdo çast.
Mbase, largësia prej vendlindjes, e bëri më të afërt me të tjerët, më komunikues, madje edhe më të çiltër.

E njoh dhe e mbaj mend nga viti 1975 kur një vit e sa, si profesor gjimnazi, na ligjëroi gjuhën shqipe në Zhegër, duke mbjellur në mua dashurinë ndaj fjalës së shkruar. Dhe, jo vetëm në mua. Edhe tek shumë të tjerë. Na afroi dhe njohu me revistat letrare të kohës, Fjala e Jeta e Re, në të cilat, përmes tij u parapaguam. Po, edhe u detyruam për t’i lexuar. Si dhe më pas, për t’i kërkuar e gjetur vetë, pa ndërmjetësimin e tij.

Në vitin 1979, vit kur fitova në një konkurs anonim letrar të revistës “Jeta e Re”, ishte profi, sepse kështu e kam quajtur deri në fund, a i cili ju gëzua suksesit tim, madje edhe mburrej para profesor Hasan Mekulit e të tjerëve se “Sabiti ishte nxënës i imi” , fakt që s’e kam mohuar asnjëherë.

Më pas, deri në vitet ’90 –ta, përkundër trysnive, ndalesave dhe shumë sfidave tjera më të cilat na përballi koha, Haxhi Vokshi do gjej mënyra për të komunikuar me neve, edhe me mua, po përmes librit. Punonte në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe, kish mundësinë të na furnizonte me libra që nuk i servireshin publikut por, që qarkullonin dorë më dorë, në besë.
Sa e sa herë do trokisja në zyrën e tij ku punonte dhe, merrja libra, sidomos të autorëve nga Shqipëria, të cilat pas leximit, i a ktheja dhe, nuk bëja zhurmë. Po, as Haxhiu nuk rrahte gjoks.

UBT

Nga viti 1990 e këndej, ai do bëhej dhe pjesë e veprimtarisë kulturore e letrare në Gjilan e gjetiu , sidomos përmes Manifestimit kulturor “Flaka e Janarit”, “Pranvera e Librit” . E kështu, s’ do mungojë thuaja në asnjë promovim letrar që u organizua gjatë këtij çerek shekulli këndej pari. Sikur që nuk do mungojë as në Manifestimet tjera si, “Mitingu i poezisë”, “Takimet e Gjeçovit”, “Takimet e Dom Mikelit”…

Me vite të tëra ishte dhe pjesë e Kryesisë së Shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës, më pas edhe të Lidhjes së shkrimtarëve. Nga viti 1993 e deri në vitin 2000, udhëhoqi dhe seksionin e shkrimtarëve të Gjilanit e Anamoravës. Shpeshherë ishte pjesë e jurive vlerësuese, pjesë e organizimeve. Bashkëpunues, i pakompleksuar prej moshe, mund të afrohej dhe punonte me secilin dhe të mos ndihej fare inferior. Madje as nuk hatrohej kur nganjëherë edhe nuk lexonte, shkaku i numrit të madh të mysafirëve. Apo, edhe kur rastësisht mund ta harronim .

Haxhi Vokshi, përveç shetisë së çdoditshme të mëngjesit dhe të mbrëmjes, një kohë, mes viteve 2007 – 2010 ishte dhe pjesë drejtuese e strukturave të Degës së LDK të Gjilanit, përkatësisht, kryetar i nëndegës VI – 1 të qytetit. Aty ku edhe jetoi e veproi deri në vdekje, nuk e kurseu veten edhe nga ky aspekt i angazhimit.

Por, gjatë gjithë periudhës prej kur e kam njohur, është shquar si përkrahës i madh i krijuesve të rinj dhe i vlerave të reja, të cilat i nuhaste dhe i përcillte pastaj, libër pas libri.
Edhe si pjesë e Ars Clubit, ka qenë i pandashëm në veprimtaritë tona, qoftë në përgatitjen dhe organizimin e Çmimit letrar “Beqir Musliu”, të revistës letrare “Agmia”, po, edhe të Manifestimit rajonal të poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes” dhe, të “Vjeshtës letrare të Gjilanit”.

Ju gëzohej veprimtarive dhe suksese tona. Na kurajonte dhe, kahdo që shkonte, na prezantonte dhe mburrej me atë që e bënim në Gjilan. Kuptohet në të mirë të letërsisë dhe, për letërsinë.

Haxhi Vokshi, si një malësor tipik i Bjeshkëve të Nemuna, do qëndrojë vertikal dhe nuk do ndalet deri në frymën e tij të mbrëmë të 19 tetorit. Ai, edhe atë ditë, ish pjesë e Panairit të Librit në Gjilan dhe,i veprimtarive që u zhvilluan gjatë Panairit.

E, ç’koiçidencë ?! Me mbylljen e këtij Panairi të Librit, ai do mbyllet përjetshëm në dheun të cilit i këndoi nga vargu i parë e, deri tek a i fundit. Po, aty do e mbyll vetëm praninë e tij fizike. Sepse, pjesa tjetër e jetës së tij të pasosur, ajo shpirtërorja, mbeti për të jetuar në veprat që, la. Aty ku do frymojë tash e tutje, Haxhi Vokshi…

( Fjalë rasti e lexuar në Akademinë Përkujtimore për Haxhi Vokshin, mbajtur më 2 Nëntor 2013, në Sallën e Teatrit të Qytetit )