Daka tregon kujt ia kanë frikën për manipulime
Flet për raportin që ka dorëzuar OSBE-ja për pjesën veriore të Kosovës, tregon se nga kush frikësohen se mund të ketë manipulime nesër gjatë votimit dhe numërimit, beson se numri i madh i vëzhguesve ndërkombëtarë do ndikojë që të mos ketë manipulime dhe bënë me dije se bashkësia ndërkombëtare nuk do i pranon zgjedhjet nëse ka parregullsi si në të kaluarat.
Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, në një intervistë për KosovaPress bën thirrje tek të gjithë qytetarët që të votojnë dhe premton që deri në mesnatën mes së dielës dhe së hënës do të paraqesin rezultatet preliminare. Thotë se ia kanë frikën marrëveshjeve mes komisionerëve të subjekteve.
Daka flet edhe për çmimin se sa do t’i kushtojnë Kosovës këto zgjedhje, pra rreth gjashtë milionë euro të ndara dhe vlerëson që janë shumë për një shtet me buxhet të vogël siç është Kosova.
Ajo pranon se megjithëse i vonuar raporti i OSBE-së për pjesën veriore, prapë është i mirëseardhur për faktin se ajo pjesë duhet integrohet në institucione të Kosovës.
“I tërë ky proces ka qenë më specifik në veri dhe ndoshta gjithçka nuk ka qenë perfekt dhe ndoshta ka vend për kritika edhe për mos kënaqësi, por mendoj që është më me rëndësi që atje zgjedhjet të mbahen, që kjo pjesë e Republikës e Kosovë të integrohet në institucionet legale tonat, që atje të zgjidhen përfaqësuesit legal të atyre qytetarëve që jetojnë atje dhe mendoj që për këtë ndoshta edhe ja vlen të tejkalohen disa çështje që normalisht ndoshta nuk i kishim pranu”, thotë ajo.
Daka thotë se interesimi i ndërkombëtarëve në këto zgjedhje ka qenë më i shtuar se kurrë më parë, ndoshta për faktin që në veri votohet për herë të parë.
Ajo shton se hapi i parë për integrimin e asaj pjesë janë këto zgjedhje dhe shpreh besimin që të vazhdohet tutje. Beson po ashtu se të gjithë do kenë prioritet të kenë rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, para interesave personale dhe partiake.
“Nuk mund të them se nuk do të ketë farë manipulime, sepse asnjë vend në botë nuk ka zgjedhje perfekte e aq më shumë në demokraci të brishta sikur kjo e jona, por besoj se këtë herë të gjithë kanë marrë mesazhe të qarta nga të gjithë akterët e këtyre zgjedhjeve dhe nga bashkësia ndërkombëtare se këtë herë nuk do të tolerohen manipulimet në zgjedhje dhe se këto zgjedhje do të jenë të papranueshme për bashkësinë ndërkombëtare në rast se do të kemi manipulime të nivelit të tillë sikur në zgjedhjet e kaluara”, thotë ajo.
Kryesuesja e KQZ-së pranon se i frikësohen marrëveshjeve mes komisisonerëve të subjekteve politike, transmeton KosovaPress.


