Luta: Gjilanin do ta kthej në kampion të sportit në të gjitha fushat
Gjilan – Takim tejet mbresëlënës ka pasur sot me sportistët dhe me punëtorët sportivë, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri.
Në fjalën e rastit, kreu i LDK-së në Gjilan ka thënë se sporti gjilanas sot është në gjendje të rëndë financiare dhe pa përkrahje nga komuna. Haziri ka pohuar si ndihet krenar që në këtë debat ka të pranishëm legjenda të sportit gjilanas.
Haziri ka premtuar se Gjilanin do ta kthej në kampion të sportit në të gjitha fushat, ngase ka qenë edhe vet i përfshirë në sport dhe e di më së miri se çka i nevojitet sportit.“Punëtorët sportivë, arsimtarët, profesorët, femrat sportiste etj., kanë punuar edhe në ditët më të vështira. Kanë qenë ata që e kanë mbajtur gjallë sportin. Ata meritojnë tretman të duhur, tretman dinjitoz”, ka thënë Haziri.
Kryetari i ardhshëm i Gjilanit, ka premtuar se të gjitha klubet sportive do të kenë buxhetin e ndarë vjetor si dhe do të ketë subvencione edhe për shkollat sportive.
“Klubet e Gjilanit na kanë bërë nderë për vite të tëra. Ne do ta ndryshojmë logjikën sportive, duke e ndryshuar mënyrën e kujdesit dhe duke e ndryshuar mënyrën e financimin. Nuk mund të funksionohet kështu me subvencionime të vogla. Roli i komunës duhet të bartë buxhet të komunës për sportin. Sporti do të largohet prej kupolës së kryetarit të komunës”.
“Jemi qytet kampion të Kosovës, kemi këtu njerëz që janë kampion të Kosovës në të gjitha nivelet. Këta meritojnë tretman të duhur, të dinjitetshëm. Do të ndërtojmë një kulturë sportive sepse buxheti do të jetë i rregullt vjetor. Do t’u ndihmojmë klubeve që janë në vështirësi. Do të kenë të planifikuar buxhetin vjetor dhe shpenzimet”, ka thënë Haziri para sportistëve që kishin mbushur sallën.
Sipas Hazirit, kujdes i veçantë do t’u kushtohet sportistëve me talent të veçantë, duke filluar nga ndihmesa në shkollim, përderisa ka premtuar edhe ndërtimin e sallave sportive në shkolla.
Prezenca e shume sportisteve me një të kaluar të lavdishme në sportin gjilanas si: Jakup Berisha, Elmaz Isufi, Nehat Osmani, Muharrem Sahiti e Ekrem Rukovci e bëri edhe më madhështorë këtë debat. Legjendat e sportit gjilanas gjatë pjesëmarrjes në këtë debat, vlerësuan lartë punën dhe kontributin e madh që zoti Haziri ka dhënë në vazhdimësi për sportin gjilanas. Ata u shprehën të jenë të impresionuar me programin e LDK-së për sportin.
“Gjilani ka qenë gjithmonë bastion i të gjithë sportistëve, në të gjitha sportet. Programi i LDK besoj që është ai më i nevojshmi për sportin gjilanas. Është plani më i duhur që e nxjerrë sportin nga kriza. Nëse realizohet plani i juaj zoti Haziri, atëherë mendoj se ne do të jemi kampion në të gjitha nivelet”, ka thënë i entuziazmuar me vizionin e zotit Lutfi Haziri, ish futbollist i njohur gjilanas, veterani Ekrem Rukovci.
Në fund, njeriu që do t’ia kthej dinjitetin sportit gjilanas, ka premtuar financim qind për qind edhe për tifozët e klubeve thuhet në njoftimin e degës së LDK-së në Gjilan./rajonipress/


