ARKATANA

Pritje e zbrazët në Tiranë e veprës së Ali Podrimjes

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Në promovimin e veprës së plotë të Ali Podrimjes në Tiranë, në organizim të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nuk u dukën shumë të interesuar.

“Çdo takim me poezinë e Ali Podrimjes të ngjallë ndjesi se je në shoqërim me atë që është përjetësi e shenjtë e qenies, e truallit, e etnisë”. Këtë ndjesi të akademik Ali Aliut shumë pak njerëz arritën ta kuptojnë, jo sepse kanë humbur ndjeshmërinë ndaj poezisë së poetit, i cili u nda nga jeta një vit më parë në Lodeve të Francës, por sepse munguan në atë takim të rëndësishëm të veprës së tij me lexuesin shqiptar.

Siç njofton Mapo, për herë të parë në Tiranë, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës erdhi si mysafire e Ministrisë së Kulturës për të promovuar veprën e plotë të poetit Ali Podrimja. Në këtë botim vërtet luksoz ishin përmbledhur botimet e para viteve ‘60 të shkruara nga poeti i ri Podrimja dhe ato më të fundit që i përkasin viteve 2000, përfshi dhe poezinë e fundit që ai shkroi. Pjesë e kësaj kolane janë vëllimet poetike: “Thirrje”, “Dhimbë e bukur”, “Sampo”, “Hija e tokës”, “Torso” dhe kryevepra e tij në poezi “Lum Lumi”.

Por, pjesë e kësaj kolane janë dhe disa vëllime me tregime dhe publicistikë të autorit. Kjo vepër që na la pas poeti Podrimja, e përmbledhur në nëntë vëllime, dukej si “jetime” ashtu e lënë përdhe në cepin e sallës së vogël të Hotel “Tirana”, ku Ministria e Kulturës organizoi promovimin e veprës. Për shkrimtarin Zija Çela, 50 vjet krijimtari, fryma e poezisë së poetit Ali Podrimja bashkoi gjithë shqiptarët. “I bashkoi në një aspiratë, atë të atdhedashjes dhe liridashjes, qëndresës dhe shpresës”.

UBT

Por, pavarësisht fjalimit poetik të shkrimtarit Çela, duket se poezia e tij nuk arriti dot të mblidhte në Tiranë përveçse një grusht njerëzish. Fjalimet e gjata gjithsesi nuk arritën ta mbushnin zbrazëtinë. “Jemi bashkë për të kujtuar poetin, të gjallë mes nesh me fjalën e tij, Ali Podrimjen dhe poezinë e tij, i cili ndërroi udhë në një ditë të fjalës poetike të Mesdheut, duke qenë i bindur dhe duke iu bindur thirrjes së atij festivali, ku mbeti e nuk u kthye. Njerëzit lidhen me fjalë, me tinguj dhe poezi”, tha Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës.

I munguar është dhe komunikimi i Ali Podrimjes me lexuesin në Shqipëri, një fakt që u vu në dukje edhe në këtë prezantim të veprës së tij nga miqtë akademikë nga Kosova, si Ali Aliu e Mehmet Kraja. Ashtu siç fundja janë edhe të tjerë autorë nga Kosova. Dhe më shumë se një vit nga vdekja e poetit Ali Podrimja, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës boton veprën e tij të plotë, pjesëza të së cilës u përcollën ngrohtë nën interpretimin e aktores Ema Andrea.

Kjo akademi përkujtimore u organizua nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Nuk u lanë pa përmendur dhe vargjet e tij si një testament poetik, ku poeti shprehte dëshirën të vdiste me sytë hapur duke parë nga qielli, ashtu siç ndodhi në realitet.