Mobi Casa

Shpëtimi i hebrenjve “i vie në ndihmë” imazhit të shqiptarëve në Zvicër

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Sandra Hoffmann gjatë leximeve të saj ka hasur në shkrime për rolin e Besës shqiptare në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo ia ka formuar bindjen se ky fakt duhet të bëhet i njohur edhe në rrethe më të gjera.

“Merrem shumë me historinë hebrenje pasi që i takoj këtij populli. Gjatë kërkimeve kam jam ndjerë e befasuar me atë që kam mësuar për raportet në mes të shqiptarëve dhe izraelitëve. Ky zbulim pastaj më ka shtyrë të angazhohem në këtë drejtim. Sigurisht kjo shtytje është forcuar me faktin se në Zvicër ka një komunitet të madh shqiptar”.

Kështu e ka shpjeguar nismën, Sandra Hoffmann, njëra ndër organizatoret e ekspozitës së fotografive “Besa” para një numri përfaqësuesish të komunitetit shqiptar të Zvicrës të mbledhur në Ambasadën e Kosovës në Bernë.

Ndërsa Esther Hörnlimann, atashe për kulturë dhe shtyp në Ambasadën e Izraelit në Bernë ka folur për detajet e organizimit të ekspozitës. “Ideja u është prezantuar tri ambasadave: Të Izraelit, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ne duam të hapim ekspozitë në nivel nacional në 10 qytete të Zvicrës. Teksti shoqërues i ekspozitës do të jetë në gjuhën gjermane dhe në atë frënge”; ka sqaruar Hörnlimann.

Por, e gjithë puna nuk do të kufizohet vetëm në ekspozitë. “Në secilin qytet do të ketë edhe program të pasur përcjellës. Para ekspozitës mund të zhvillohet ndonjë ndeshje futbolli në mes të fëmijëve shqiptarë dhe atyre hebrenj, do të ketë koncerte ligjërata, takime dhe biseda në mes të shqiptarëve dhe hebrenjve etj.”.

Hörnlimann ka nënvizuar se nga organizatorët shihet me prioritet pjesëmarrja e sa më shumë fëmijëve dhe të rinjve të moshave shkollore, shqiptarë dhe zviceranë. “Për këtë arsye jemi në kontakt me shkolla të larta, me qendra kulturore, etj.”.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Naim Mala, në rolin e nikoqirit dhe të njërit ndër patronët e ekspozitës, ka folur për historinë e njohur të mbrojtjes që u kanë bërë shqiptarët hebrenjve në kohën kur këta ndiqeshin nga nazistët.

“Besa, nën të cilën kanë vepruar shqiptarët duke rrezikuar veten, është një tipar me të cilën ne mund të jemi krenarë”, ka thënë Malaj. Më tutje ai ka theksuar se populli dhe shteti i Izraelit ua ka kthyer shqiptarëve “të mirën me të mirë” gjatë luftës në Kosovë, duke pritur dhe strehuar ata që kishin ikur nga ndjekja”.

Fundamenti

Prania në ambasadën e Kosovës e ambasadorit të Izraelit, shtetit që nuk e ka njohur akoma Kosovën, fliste mjaft për vlerësimin e lartë që institucionet e shtetit të tij i kanë dhënë projektit “Besa”.

Ambasadori izraelit në Zvicër Yigal Baruch Caspi që në fillim shprehu vlerësim për ekspozitën në përgatitje. “Është fjala për një projekt jo të zakonshëm. Me të ne duam ti dërgojmë një mesazh popullit të Zvicrës dhe më gjerë.

Projekti fillimisht është realizuar nga Yad Vashem, muzeu që përkujton holokaustin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ekspozita tregon se ne konsiderojmë se Izraeli nuk ka problem me islamin si besim. Shumë nuk e dallojnë myslimanizmin si fe nga politika dhe kështu gabojnë. Me këtë projekt duam të prezantojmë faktin se vetëm në Shqipëri, myslimanët kanë ndihmuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Populli i shqiptar ka treguar tolerancë e guxim dhe ka vepruar në pajtim me kodin e Besës shqiptare dhe me atë të mikpritjes”, ka thënë ambasadori Caspi

Ndërsa Lahor Jakrlin, anëtar i stafit të projektit ka folur për ideatorin e parë të këtij aktiviteti, mësuesin nga qyteti Biel-Bienne Alain Pichard. Duke qenë mësues i shumë nxënësve shqiptarë dhe duke parë paragjykimet për shqiptarët Pichard ka menduar se çka mund të bënte që do të ishte në të mirë të përmirësimit të imazhit të shqiptarëve. Lidhja me këtë ekspozitë ka qenë ideja e Pichard”.

Pas prezantimit të projektit, është zhvilluar një debat ku zviceranë dhe shqiptarë kanë shprehur interesimin e tyre rreth projektit ashtu si dhe vërejtjet dhe sugjerimet e tyre. Disa afaristë shqiptarë të pranishëm janë paraqitur edhe për të ndihmuar financiarisht projektin.

Remo Coller, një dashamirës i shqiptarëve, i cili ka jetuar një kohë në Prishtinë e përkrah idenë e projektit dhe angazhohet që ai të përhapet sa më shumë në shkolla dhe në universitete në mbarë Zvicrën.

Kardiokirurgu shqiptar nga Cyrihu, Dr. Omer Xhemaili ka shprehur edhe mendimin e tij kritik për një aspekt të ekspozitës. Termi “Besa” nuk duhet të ngatërrohet me religjionin” ka thënë ai duke bërë fjalë për tekstin e prospektit ku përmenden “shqiptarët myslimanë”. Ne shqiptarët zakonisht nuk identifikohemi si myslimanë ose të krishterë por si shqiptarë”, ka thënë dr. Xhemaili.

Ajo që u theksua gjatë takimit nga të gjithë, ishte nevoja për zgjerimin e rrethit të njerëzve që do ta shikojnë ekspozitën dhe sensibilizimi i sa më shumë të rinjve me të.(albinfo.ch)