ARKATANA

Botohet libri “Gjurmë nëpër tehun e shpatës” i autorit Jonuz Fetahu

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Botohet libri “Gjurmë nëpër tehun e shpatës” i autorit nga Sfirca e Medvegjës, Jonuz Fetahu

PARATHËNIE

Libri “Gjurmë…” i autorit Jonuz Fetahu pa dyshim të nxjerrë para dilemave se me ç’autoritet t’i qasesh përmbajtjes së tij, duke pasur parasysh natyrën heterogjene të shkrimeve, në njërën anë, dhe librit si tërësi, në anën tjetër. Kjo ngase janë të rrallë librat me natyrë të tillë përmbajtjesore, andaj me gjithë kohezionin dhe një vijë gjykimi e vlerësimi, lexuesi gjen krijime që u përkasin zhanreve të ndryshme dhe, këtej, qasja ndaj tyre duhet të jetë adekuate.

Tema dominuese që e trajton autori në këtë libër ka të bëjë me angazhimet, aktivitetet dhe përpjekjet e pareshtura të banorëve të asaj ane në mbrojtje të të drejtave të tyre, të atyre të drejtave që konsiderohen të patjetërsueshme dhe jetike për një popullatë, derisa pushteti i atëhershëm serb në mënyrë sistematike i zhvlerësonte, i ngushtonte dhe i atakonte deri në mohim total. Dhe, në një realitet të tillë s’kishte si të mos mobilizoheshin njerëzit e dijes, intelektualët dhe bijtë më të mirë të asaj popullate për të ngritur zërin e protestës në mënyra të ndryshme, qoftë me manifestime kulturore a përkujtimore, qoftë në organizime të natyrave kundërshtuese ndaj synimeve institucionale të pushtetit serb për tjetërsimin e të drejtave njerëzore e kombëtare të pjesëtarëve të popullsisë shqiptare të këtij rajoni.

Në këtë kontekst, edhe autori Jonuz Fetahu, që në moshë të re ngre zërin dhe shpreh mospajtimin e tij me tendencat e nëpërkëmbjes së të drejtave të shqiptarëve të asaj ane, duke dëshmuar një vetëdije sublime se mbrojtja e të drejtave elementare njerëzore është rruga e vetme për ta ruajtur edhe identitetin kombëtar. Në këtë vijë, autori nuk ndalet gjatë gjithë jetës së tij dhe nuk njeh frikë e nuk e pranon gjuhën e kërcënimeve, duke mbajtur qëndrim kryengritës edhe kur elemente të strukturave të sigurimit serb e kërcënojnë me burgosje e linçim.

Mobi Casa

Jonuz Fetahu dëshmon kështu se është një njeri që jeton me ideale të larta, se liria, të drejtat dhe identiteti i pacenuar janë dritë absolute që meriton çdo sakrificë, duke e konsideruar edhe sakrificën si përmasë të ekzistencës njerëzore.

Shtegtimet e tij rrugëve kah liria dhe në mbrojtje të të drejtave njerëzore u përcollën dhe u mbështetën edhe nga të tjerë, të cilët gjithashtu ecën guximshëm këtyre shtigjeve, pa iu frikësuar errësirës. Prandaj, ata përkujtohen edhe me krijime në këtë libër, duke u përjetësuar vepra e tyre atdhetare, në mënyrë që gjeneratat e ardhshme t’i kujtojnë për sakrificën e tyre në shërbim të popullit dhe lirisë. Çdo shikim ndaj dëshmorëve peshon, ashtu si edhe ndaj personaliteteve të mëdha të kulturës kombëtare, duke gjykuar se edhe e sotmja rrjedh nga e djeshmja, ashtu si edhe e nesërmja është fryt i së shkuarës dhe kontributit të tyre.

Autori Jonuz Fetahu gjithmonë mban qëndrim realist dhe objektiv ndaj së kaluarës, ndaj kujtimeve kolektive, duke gjetur themele racionale në kontributin e secilit, andaj me këtë vepër nuk do të frikohet se ka lënë prapa vetes dyer të përplasura. Ai me një horizont të thellë intelektual sikur i përkulet mbretërisë së fjalës, kështu që nëpërmjet një reflektimi analitik dhe qëndrimi të guximshëm pashmangshëm mbjell një frymë optimizmi dhe shprese se e ardhmja do të jetë më e dinjitetshme.

BIOGRAFIA E AUTORIT:

Jonuz Fetahu lindi në fshatin Sfircë të komunës së Medvegjës, më 1966. Shkollën fillore e kreu në Banjë të Siarinës, ndërkaq të mesmen dhe Fakultetin e Filologjisë, përkatësisht Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë, në vitin 1990. Deri në vitin 1995 punoi në arsim në shkollën “Zenel Hajdini” në Banjë të Siarinës, më pastaj në Prishtinë, në shkollat “Nazim Gafurri” dhe “Xhavit Ahmeti”, ndërsa prej vitit 2012 punon në Administratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës./Muhamet Reçica-medvegja.net/