Qeveria i frikësohet Diasporës
Diaspora nuk është e kënaqur me mënyrën e votimit që i është ofruar për zgjedhjet lokale të tre nëntorit. Llogaritet se 99 për qind e mërgimtarëve që jetojnë në vendet perëndimore nuk janë të informuar sesi duhet të votojnë, apo si të vijnë deri tek mundësia që të regjistrohen dhe të marrin pjesë në votime.
Procesi i zgjedhur dhe lejuar që votimi nga jashtë Kosovës të realizohet përmes postës, në dy periudha (regjistrimit dhe të dërgimit të fletëvotimit) është deklaruar i pasuksesshëm dhe i papërshtatshëm për diasporën.
Numri i mërgimtarëve që do të japin votën në nëntor, e që e kanë dhënë votën edhe në zgjedhjet e kaluara nuk ka kaluar shifrën prej 1800 vetash, nga rreth 1 milionë sa parashihet të ketë pjesëtarë diaspora kosovare, megjithëkëtë kjo formë e votimit nuk po ndryshohet. Përfaqësues të diasporës akuzojnë qeverinë se i frikësohet votës së diasporës, prandaj dhe ka zgjedhur një mënyrë të votimit të pamundshme për të deklaruar diaspora vullnetin e saj politik.
Mërgimtarët të painformuar rreth votimit
Ahmet Asani, udhëheqës i Shoqatës “Bashkësia Shqiptare në Zvicër” dhe këshilltar i ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, ka thënë për “Zëri” se mundësia e tashme e votimit me postë nuk është sa duhet e përshtatshme.
Asani bënë të ditur për gazetën se nuk ka aplikuar për të votuar dhe nuk ka votuar më parë, madje rastin e tij pret ta rregullojnë organet kompetente. “Kam bërë kërkesën për shtetësi dhe i plotësoj të gjitha kushtet ta kem shtetësinë e Kosovës, por mjerisht institucionet përkatëse të shtetit të Kosovës… më kanë kthyer një përgjigje negative”, ka thënë Asani.
Ai thotë se rasti i tij është një pasqyrë e realitetit të raporteve mes Shtetit të Kosovës dhe Diasporës. Për të gjithë mërgimtarët që iu lejohet vota, ai e quan të përshtatshme që shpërndarja e materialeve për votim të bëhet më herët dhe gjatë kohës kur pjesëtarët e diasporës janë në Kosovë për pushime.
Aplikimi nën shifra minimale i diasporës për votim, Asani vlerëson se është pasojë e realitetit se diaspora nuk pret ndryshime nga asnjë subjekt në Kosovë”. Sipas tij në diasporë vërehet një frymë abstenuese që është krijuar si rezultat i mungesës se lidershipit të denjë në politikë, në kulturë dhe në çdo sferë të jetës. (Zëri).


