Dardanët shënojnë fitore në Basel
FC Dardania në Basel ka shënuar fitore me meritë në terrenin e ekipit kroat, i cili në radhët e veta ka hiq më pak se 10 shqiptarë, 7 prej tyre në 11-shin e parë.
Ky edhe ishte motivimi më i mirë për t’iu treguar atyre se ata luajnë në ekipin e gabuar. Kjo vërehet qartë qysh para lojës, ku në zhveshtoren e Dardanisë bubullonte muzika me këngë të bukura shqipe.
Nga minuta e parë në fushën e gjelbër filluan të bubullojnë dardanët me 2-3 shanse ideale për të shënuar. Deri te goli i parë kaluan vetëm 6 minuta, realizator nga pika e bardhë ishte seniori Nusret Rexhepi, i cili festoi golin duke puthur shiponjën!
Ofensiva e Dardanisë nuk kishte të ndalur, vetëm 4 minuta pas golit të parë, Artan Shillova me një asistim të bukur shërben Shqiprim Salihin, i cili nuk i la asnjë shans portierit kundërshtar, duke ngritur epërsinë në 2 gola.
Në minutën e 37 vjen goli tjetër i Isa Mulajt që shënon me kokë, duke ngritur rezultatin në 0:3. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë, kurse në pjesën e dytë Dardania me një lojë të mençur taktike krijonte herë pas here shanse të mira, por nuk arriti t’i shndërrojë në gol, kurse në repartin defanziv nuk i lejonte asnjë shans kundërshtarit, deri te një pakujdesi e vogël, të cilën e shfrytëzoi normalisht Jeton Abazi për golin e vetëm të kundërshtarit, ky ishte edhe rezultati përfundimtar.
NK Pajde – FC Dardania 1:3 (0:3)./albinfo/


