Vetëvendosjen nuk e duan për koalicion
Forcat politike në vend kanë filluar ta “shtrëngojnë rripin” për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, por që nuk kanë “vija të kuqe” për asnjë kandidat në rast se do të shkohet në balotazh, në përjashtim të “Vetëvendosjes”, e cila deklarohet se nuk do të hyjë në koalicion me partitë që kanë qeverisur nga periudha e pasluftës.
Secili subjekt politik synon që në raundin e parë t’i fitojë zgjedhjet, por që gara dhe koalicionet do të vijnë në shprehje në ato komuna që do të shkohet në balotazh.
Koalicionet eventuale do të ndryshojnë nga ai qendror. Partia e kryeministrit Hashim Thaçi dhe ajo e Behxhet Pacollit, të cilat janë në koalicion qeverisës në nivelin qendror nuk do ta mbështesin njëra-tjetrën edhe në nivelin lokal.
Qysh tani PDK-ja dhe AAK-ja janë pajtuar që në raste të balotazhit në komunën e Gjakovës, atëherë partia e Thaçit është pajtuar që t’ia zgjasë “dorën” kandidatit të AAK-së, Pal Lekajt dhe jo Mimoza Kusarit që është pjesë e kabinetit qeveritar të Thaçit. Vetë Lekaj është i bindur se do të fitojë zgjedhjet që në rundin e parë, por thotë se në rast balotazhi, atëherë do të këtë mbështetjen e elektoratit të PDK-së.
Ndërkaq, kandidati i PDK-së nga Gjilani, Qemajl Mustafa, thotë se në rast se do të shkojë në balotazh, atëherë do ta ketë mbështetjen e elektoratit të AAK-së dhe AKR-së kundruall kandidatit të LDK-së, Lutfi Hazirit.
Vetë Mustafa ka thënë se partia e tij është afër me AAK-në si nga koncepti ashtu edhe nga e kaluara. “PDK-AAK dhe AKR do të jenë partitë që do të udhëheqin me Komunën e Gjilanit në mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
“Luftën” po e bëjmë karshi të gjithë kandidatëve, me qëllim që të mos ketë nevojë të shkohet fare në balotazh, por që në rast se do të shkohet atëherë marrëveshja do të jetë me AAK-në dhe AKR-në…(Zëri)


