Mobi Casa

Qemajl Mustafa është lideri demokratik për të cilin ia vlen të votojmë

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Veton Nevzadi – Në rrethanat kur Komuna e Gjilanit dhe Kosova po përballet me sfidat elementare të ndërtimit të kapaciteteve të saja, në rrethanat kur çdo gjë në Kosovë gjendet në fazën fillestare të zhvillimit, padyshim që ekziston nevoja për një strukturë politike dhe individë të fuqishëm të cilët do të vazhdojnë t’a udhëheqin me sukses komunën e Gjilanit dhe të ngrisin përmbajtësisht dhe shpirtërisht këtë hapësirë të rëndësishme të Kosovës dhe këtë qendër politiko-administrative, ekonomike, arsimore, kulturore dhe sportive të Anamoravës.

Personalisht ndaj mendimin me shumicën e qytetarëve të Komunës së Gjilanit. Konsideroj se subjekti politik me kuadro më të përgatitura dhe me guximin për të bartur fuqishëm dhe me elegancë proceset e rëndësishme shoqërore në dy nivelet është Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidati i saj i suksesshëm – dinjitetshëm Qemajl Mustafa.

Në vigjilje të këtyre zgjedhjeve lokale është e natyrshme që për këtë përcaktim të ekzistojnë arsye të fuqishme dhe të qëndrueshme.

Arsyeja numër 1

Me ardhjen në pushtet të PDK-së dhe Qemajl Mustafës ka filluar vrullshëm cikli i investimeve të shumta në infrastrukturë si në administratë, shkolla, rrugë, ujësjellës, kanalizim, energjetikë, ambient. Vërehet qartë se nuk ka lagje as fshat në komunë ku nuk është punuar diçka për të përmirësuar jetën e qytetarëve duke mos bërë asnjëherë dallime politike në investime.

– Shumë shkolla u ndërtuan saqë tashmë nevoja për hapësirë shkollore thuaja ka pushuar, disiplina dhe kualiteti i mësimdhënies dhe nxënies janë ngritur pakrahasueshëm me vitet paraprake.

– U themelua Universiteti i Gjilanit dhe u ndihmuan vazhdimisht studentët, nxënësit me bursa (kuadrot e reja) dhe me shpërblime për më të dalluarit.

– Gjilani nuk kutërbon me erë të padurueshëm të ujërave të zeza. Pranë ish-moçalit dhe lumit të papastër po rregullohet një shëtitore për nevoja të qytetarëve. Gjilani është nxjerrur nga balta dhe problemet elementare të jetesës.

– Rritja e të hyrave vetanake ka shënuar një rritje milionëshe falë përkushtimit dhe disiplinës së ndërtuar në administratë me një angazhim të madh gjatë këtyre viteve.

– Investimet në bujqësi në krahasim me vitet paraprake janë të pakrahasueshme. Nga disa mijëra që ishin më herët, tash në qindra mijëra dhe përtej milionë euro të cilat po i përfitojnë bujqit çdo vit përmes granteve dhe shërbimeve të ndryshme profesionale të cilat po u ofrohen nga institucionet komunale dhe qeveritare dhe donatorët

– Lista e gjatë e zhvillimeve në planin politik dhe zhvillimor ka vazhduar të zgjatet çdo ditë e më shumë si rezultat i së cilës komuna është shpërblyer disa herë nga institucionet relevante për qeverisje të mirë.

– Komuna e Gjilanit gjatë qeverisjes së PDK-së dhe Qemajl Mustafës është ranguar si komuna e parë në rangun e komunave të mëdha në nivel të Kosovës për krijim të ambientit të përshtatshëm për të bërë lehtë biznes sipas një hulumtimi të bërë nga USAID-i, është ranguar si komuna e parë në përdorimin e teknologjisë informative në konkurrencën e komunave të Kosovës sipas MAPL-së.

– Gjilani është zgjedhur për disa vite rresht poashtu nga USAID-i si komuna e pare për mbajtjen pastër të qytetit dhe kemi lëvdata nga përfaqësuesit e UE-së për gatishmërinë dhe profesionalizmin e komunës për të ecur përpara me krijimin e kushteve të volitshme për procesin e liberalizimit të vizave i cili në vete përmban edhe barrën e të riatdhesuarve në vend.

Eco Higjiena

Si rezultat i performancës së mirë në qeverisje Komuna e Gjilanit ka përfituar grante nga donatorët për ndërtimin e bibliotekës së qytetit, stadiumit tjetër të qytetit, Qendrës Rinore dhe projekte të shumta infrastrukturore për qytetin.

Arsyeja numër 2

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa posedon shumicën nga vetitë e një lideri demokratik për të cilin ka nevojë Gjilani dhe Kosova.

– posedon kulturë shtetndërtuese dhe është besnik ndaj qëllimeve të sistemit të cilin e udhëheqë, me një gatishmëri të habitshme për të sakrifikuar gjithçka për të mirën e përgjithshme.

– i përkushtuar ndaj punës, person i terrenit me qëllim të njohjes së problemeve të qytetarëve.

– Zyrtari i vetëm i administratës në Gjilan i cili i mban dy orare të punës brenda një dite. Kryeshërbëtori i Gjilanit i cili çdo ditë që nga ardhja në krye të komunës takon personalisht secilin qytetar që dëshiron ta takojë, i cili nuk ngurron që edhe nga xhepi i tij të ndihmoj raste të ndryshme në nevojë.

– modest dhe i hapur ndaj të gjithëve pa asnjë paragjykim. Menaxher që flet qartë, thjeshton problemet dhe motivon punëtorët e mirë.

– Proaktiv në zgjidhjen e problemeve duke u ballafaquar me ato para se ato të bëhen të mëdha dhe të shpërthejnë.

– ambicioz dhe me qëllime të larta për punë, vetëbesues dhe multikulturor.

– merr përsipër përgjegjësinë për ndonjë mossukes, nuk kërkon fajtorë te bashkëpunëtorët. Gabimet e veta dhe të tjerëve i konsideron si mjet për të mësuar për punët e ardhshme.

Të gjitha përvojat dhe standardet ndërkombëtare të cilat masin aftësitë dhe kualitetet të cilat duhet t’i posedojë një udhëheqës flasin për një përputhje të madhe mes tyre dhe performancës se treguar gjatë këtyre viteve nga kryetari aktual i komunës Qemajl Mustafa.

Prandaj, le t’i shërbejnë qytetarit këto arsye si përkujtues për të përzgjedhur kandidatin e tyre të cilin e meritojnë.