Berisha: Do të jem portieri i Kupës dhe Europa Leagues
Etrit Berisha ndihet i lumtur që iu bashkua Lazios. Përfaqësuesi shqiptar është i vetëdijshëm se nuk do të jetë portieri i parë i Biancocelesti, por thotë se do të mbrojë në Kupën e Italisë dhe në Europa League. Ndër të tjera, ish portieri i Kalmarit beson ende në kualifikimin e Shqipërisë në Botëror.
Lazio mund të rrijë rehat, pasi e ka gjetur zëvendësin adekuat të Federico Marchettit. Po flasim për Etrit Berishën, i cili në fund të afatit kalimtar veror iu bashkua ekipit Biancocelesti, duke e lënë Kalmarin, ku mbrojti me sukses për disa sezone.
Prishtinasi duhet ta tregojë vlerën e tij në një kampionat më të rëndësishëm. Ai e di se nuk do të jetë portieri i parë, por shpreson që t’i jepet rasti, së paku në Kupën e Italisë.
Ish portieri i 2 Korrikut, i cili gjendet i grumbulluar me Kombëtaren shqiptare në Islandë, e ka dhënë një intervistë për uebfaqen svenskafans.com, ku ka treguar për fillimin e eksperiencës në Lazio, për gjasat e Kombëtares shqiptare që të kualifikohet në Botërorin ‘Brazili 2014’ dhe për shumë gjëra tjerë që lidhen me karrierën e tij.
Si jeni mbi të gjitha?
Berisha: Ndihem mirë, edhe pse humbëm nga Sllovenia. E kemi bërë një lojë të mirë, mbi të gjitha në pjesën e parë, me diferencën që ata ia dolën të shënonin. I krijuam disa raste për gol, por portieri i tyre bëri një lojë të madhe.
Por, e keni mundësinë ende të shkoni në vend të dytë në grupe…
Berisha: Po, mundësitë ekzistojnë sigurisht. Ndeshja e ardhshme është me Islandën, është bërë mjaft e rëndësishme. Pres që edhe fati të na ndihmojë më shumë sesa dje. E kemi një skuadër të mirë dhe po krijojmë raste.
Të dielën e kaluar e ke shënuar golin vendimtar nga penalltia kundër Halmstadit dhe më pas je transferuar në Lazio…
Berisha: Ishte një mënyrë e mirë për ta mbyllur eksperiencën aty. Ishte e mrekullueshme. Me Kalmarin kam punuar pa arritur suksese të mëdha sportive, kështu që e kam ndier nevojën që të shkoj në një klub më të madh, për ta pasur mundësinë që të fitoj diçka. Kur Lazio e ka bërë interesimin për mua, nuk kam hezituar ta pranoj.
Lazio të ndiqte qe një kohë, apo ishte një befasi për ty?
Berisha: Më ndjek qe një kohë. Kur e kam nisur eksperiencën në Kombëtare, më kanë shikuar me kujdes të madh. Kanë ardhur të më përcjellin në kampionat, kështu që nuk mund të them se kam mbetur i befasuar kur e kanë shprehur interesimin për mua.
Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare vjen nga Shqipëria, njëjtë sikur ju. Çfarë roli e ka pasur ai në këtë transferim?
Berisha: Në realitet, unë vi nga Kosova, por luaj për Shqipërinë. Tare e ndjek Kombëtaren shqiptare nga afër dhe i ka parë disa ndeshje. Sidoqoftë, ai nuk është një ekspert i portierëve, kështu që është konsultuar me trajnerin e portierëve. Për këtë, e falënderoj.
Ke biseduar edhe me trajnerin Vladimir Petkovic?
Berisha: Jo, direkt jo. Mirëpo, kam pasur kontakte me Claudio Lotiton e Igli Taren, të cilët me këtë rast kanë kontaktuar me Petkovicin.
Lorik Cana është bashkëlojtar yti në Kombëtare dhe nga tash edhe në Lazio. Jeni shokë?
Berisha: Ai është një djalë i mirë dhe një lojtar fantastik, është edhe kapiten i Kombëtares. Ai më ndihmon shumë dhe do të jetë sigurisht më e lehtë për mua për t’u ambientuar.
Cilat janë mbresat e tua për Lazion?
Berisha: Kam qenë në Romë vetëm një herë, por kam mësuar se gjithçka është më e madhe përreth klubit. Pas pauzës, jam rikthyer në Kalmar për t’i sistematizuar disa gjëra, ndërsa më pas jam rikthyer në Romë.
E keni gjetur një ambient se ku të jetoni?
Berisha: Jo, nuk e kam ende. Fillimisht ndoshta do të vendosem në hotel. Më pas dua ta gjej një apartament në një pjesë të qytetit.
Çfarë tipi i lojtarit je, për ata që nuk të njohin mirë?
Berisha: Si lojtar mundohem gjithmonë ta jap më të mirën nga vetja, si në ndeshje ashtu edhe në stërvitje. Dua të përmirësohem gjithmonë në të gjitha aspektet e lojës sime. Si person jam i qetë, edhe pse ndonjëherë çartem kur e marrin ndonjë vendim kundër meje. Kjo ndodh në fushë, u ndodh të gjithëve.
Në Lazio luan Federico Marchetti, njëri prej portierëve më të mirë në Serie A dhe ndihmës i Gianluigi Buffon në Kombëtare. Si i sheh rastet e tua për të mbrojtur për ekipin Biancocelesti?
Berisha: Për momentin Marchetti është pa dyshim zgjedhja e parë, por nuk dua të limitohem dhe të ulem në bankinë. Ka shumë ndeshje gjatë një sezoni dhe klubi më ka siguruar se do të luaj në Europa League dhe në Kupën e Italisë. Ishte e rëndësishme ta dëgjoja këtë, pasi kam nevojë të luaj nëse dua të vazhdoj të përmirësohem. Ndër të tjera, nuk e di se çka do të ndodh me Marchettin në të ardhmen. Ai mund të largohet nëse klubi merr ndonjë ofertë të mirë nga një klub i huaj, për shembull.
Në momentin kur ke nënshkruar për Lazion, portieri rezervë Bizzarri është shitur në Genoa. E ke ditur kur ke nënshkruar?
Berisha: Jo, nuk e dija, por kisha dëgjuar që kishte ekipe të interesuar për të.
Si në sezonin e kaluar, Lazio luan në Serie A, Kupën e Italisë dhe Europa League. Si mendoni për mundësitë e ekipit në këto kompeticione?
Berisha: Mendoj se skuadra është e fortë. E kam shikuar duke luajtur Lazion, ka një ekip të mirë dhe shumë lojtarë që mund të luajnë në formacionin bazë. Mendoj se ky ekip mund të shkojë larg në të gjitha kompeticionet.
Cila është ëndrra e jote për debutimin?
Berisha: Nuk kam menduar asgjë në veçanti, por si një portier i mirë dua gjithmonë që ta mbaj portën të paprekur. Kështu që, nëse mund ta arrij këtë në debutim, do të isha i kënaqur.
Por, nuk gabon nëse i gjuan edhe penalltitë?
Berisha: Jo, madje kënaqem. Megjithatë, nuk mendoj se do ta marr menjëherë besimin si gjuajtës i penalltive. Por, nuk i dihet kurrë…
Çka prisni diçka më shumë në të ardhmen?
Berisha: Ndeshja e ardhshme në Serie A është në shtëpi kundër Chievos dhe do të jetë loja ime e parë si lojtar i Lazios. Pas kësaj e pres lojën me Romën dhe do të jetë mjaft speciale. Derbi është jashtëzakonisht serioz dhe i rëndësishëm dhe tifozët janë fantastikë. Gjithmonë kam ëndërruar të luaj përballë një publiku të tillë, kështu që mezi pres.


