Fitorja e Gjilanit i dedikohet Shqipdon Shabanit
Gjilan – Futbollistët e Gjilanit në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Parë, kanë shënuar fitore të thellë ndaj Ulpianës duke e mundur 6:3. Me këtë fitore gjilanasit janë ngjitur në pozitën e dytë, duke bërë me dije se janë konkurrent për të hyrë në Superligën e Kosovës. Muharrem Sahiti, kryetrajner i Gjilanit tha se këtë fitore ia dedikojmë Shqipdon Shabanit. Në minutën e 23,25 dhe 32 shënon tri herë radhazi sulmuesi Lirian Ferati.(foto)
Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 200. Shënues. Sermaxhaj ’14(pen), 88 (pen), Ferati ’23,’25,’32, Muja ’61 (Gjilani) – Buzuku ’43, Avdyli ’68, Krivaqa ‘71 . Gjyqtarë: B. Gashi, L. Gegaj, N. Ibrahimi. Kartoni i verdhë: Kastrati (Gjilani) – Neziri, Banushi, Hasani, Krivaqa (Ulpiana). Gjilani – Ulpiana 6:3 (4:1)
Gjilani: Ajdini, Hyseni, Kastrati, Murseli, Maliqi, Shaqiri (B.Mustafa), Morina, Sermaxhaj, Haliti, Ferati (Z. Mustafa), Selmani (Muja)
Ulpiana: Ismajli, Hasani, Spahiu, Gashi, Banushi, Kaleshi, Avdyli, Buja, Lekiqi (Buzuku), Ademi (Krivaqa), Neziri.
Futbollistët e Gjilanit në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Parë, kanë shënuar fitore të thellë ndaj Ulpianës duke e mundur 6:3. Me këtë fitore gjilanasit janë ngjitur në pozitën e dytë, duke bërë me dije se janë konkurrent për të hyrë në Superligën e Kosovës.
Ndeshja ka filluar me një minutë heshtje për të nderuar ish futbollistin e Gjilanit Shqipdon Shabanin, i cili vdiq ditë më parë.
Vendasit që nga minuta e parë i kanë bërë me dije mysafirët se në këtë ndeshje do të jetë skuadra e Gjilanit që do të shënoj fitore duke atakuar portën e Ismajlit pa ndërprerë. Goli i parë është arritur në minutën e 14, ndërsa golashënues ishte Sermaxhaj që ka shënuar nga pika e penaltisë, pasi një minutë më parë Neziri i mysafirëve ka ndalur Maliqin që ishte brenda zonës.
Në minutën e 23,25 dhe 32 shënon tri herë radhazi sulmuesi Lirian Ferati. Golin e parë e ka shënuar pas asistimit të Sermaxhajt që ia ka bërë Halitit, i cili gjuan furishëm, topin e pret Ismajli por e dëbon deri te Ferati që nga afërsia nuk e kishte të vështirë të shënoj në portën e zbrazët, derisa dy minuta më vonë ka shënuar pas harkimit milimetrik të Murselit nga e majta dhe në minutën e 32 shënon gol me kokë, ndërsa kësaj radhe ka asistuar Haliti.
Mysafirët edhe përkundër pësimit të katër golave ata nuk janë ndalur duke sulmuar dhe ata patën rastet e tyre për shënim, por që kanë arritur të shënojnë dy minuta para përfundimit të pjesës së parë përmes zëvendësuesit Krivaqa që ishte inkuadruar në lojë disa qaste më herët, duke mbyllur kështu 45 minutat e parë me rezultat 4:1.
Në pjesën e dytë janë shënuar edhe katër gola të tjerë dhe secila skuadër ka shënuar nga dy herë. Fillimisht në minutën e 61 ka shënuar zëvendësuesi Muja që ka dal i vetmuar para Ismajlit pas asistimit të Sermaxhajt, ndërsa në minutën e 68, Buzuku u Ulpianës nga e djathta ka kaluar Murselin, ka hyrë brenda zonës për të kthyer topin mbrapa te vija e 16 metërshit deri te Krivaqa që godet fuqishëm këndin e epërm të majtë të Ajdinit.
Tre minuta më vonë mysafirët fitojnë penallti, pasi me dorë ka luajtur Kastrati, ndërsa gol nga pika e bardhë ka shënuar Avdyli për të ngushtuar rezultatin e 5:3.
Dy minuta para përfundimit të ndeshjes, gjilanasit kanë shënuar edhe njëherë përmes Sermaxhajt nga penaltia, ndërsa në mënyrë të palejuar është ndaluar Maliqi nga Hasani për dhënë rezultatin përfundimtar 6:3
Thanë pas ndeshjes:
Muharrem Sahiti, kryetrajner i Gjilanit: Në pjesën e parë luajtëm mirë dhe shënuam katër gola, ndërsa në pjesën e dytë lojtarët e mi u kënaqën me rezultatin e lartë dhe lëshuan lojën që është për çdo kritik. Megjithatë është fitore e merituar dhe këtë fitore ia dedikojmë Shqipdon Shabanit.
Lulzim Gashi , kryetrajner i Ulpianës: Dy penalltitë mendoj se nuk kanë ekzistuar, derisa edhe goli i tretë sipas meje ishte nga pozita jashtë loje. Gjilani për momentin ka skuadër më të kompletuar se ne dhe fitorja e tyre ishe e merituar. Njëheritë vendasit i falënderoj për mikpritje./rajonipress/


