De Biazi: Nuk patëm fat, na dënoi Handanoviq
Tiranë – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, ia ka faturuar më së shumti këtë humbje faktit që skuadra ishte e pafat dhe që Sllovenia kishte në portë një super-portier.
Italiani ka analizuar me kujdes të gjitha lëvizjet e bëra në këtë ndeshje, duke u ndalur sa te lënia jashtë e Ahmed Januzit dhe te debutimi i Agon Mehmetit. Sakaq, sipas De Biazit, asgjë nuk ka mbaruar, pasi Shqipëria do të kërkojë rezultat pozitiv në ndeshjen e së martës në Islandë. “Futbolli kështu është.
Një rezultat shumë i keq, pasi luajtëm mirë, por duhet t’i pranojmë edhe këto gjëra në këtë sport. Nuk e merituam aspak humbjen, sepse u treguam superiorë. Më vjen keq për lojtarët që dhanë maksimumin në fushë dhe për tifozët që kishin ardhur të na ndiqnin deri në Slloveni. Krijuan një atmosferë që na bëri të ndiheshim sikur luanim në fushën tonë. Ne i patëm mundësitë tona dhe është e vështirë të pranosh që luajtëm në transfertë dhe patëm aq raste. Gjithsesi, Handanoviq bëri disa pritje fantastike.
Nuk mund të rrezikojë dhe ta nisë ndeshjen me dy sulmues. Luanim në transfertë dhe ndaj një kundërshtari të fortë taktikisht. Ishte e domosdoshme që të ruanim ekuilibrin në pjesën e parë, edhe pse pësuam gol. E prisja që Sllovenia të ishte agresive në minutat e para, ndaj ne duhet të ishim më të fortë në mesfushë, sidomos në qendër të saj”, tha fillimisht De Biazi, transmeton Panorama. Më tej, ai shpjegoi edhe mënyrën e lojës së Shqipërisë dhe arsyet e lënies në tribunë të Januzit. “Sigurisht që do rrezikoja dhe do luaja me dy sulmues, pasi ne ishim në disavantazh dhe duhet të ishim më agresivë në repartin e avancuar.
Siç e thashë edhe më parë, i krijuam rastet tona, por nuk patëm fat që t’i finalizojmë si duhet. Januzi? Është në kondicion të mirë fizik, por përveç Çanit në fushë, unë kisha Salihin dhe Mehmetin në stol. Nuk mund të mbaja më shumë se dy sulmues, ndaj edhe mora një vendim të tillë”, vazhdoi trajneri. Në fund, italiani foli edhe për Katanecin dhe ndeshjen me Islandën. “Unë thjesht dua ta komplimentoj për punën që ka bërë me Slloveninë dhe skuadra e tij arriti të na mundë.
Nëse krahason këtë përballje me atë që fituam 1-0 në shtëpi, sot (dje) krijuam më shumë raste për shënim. Islanda? Një kundërshtar i fortë, i cili ka arritur të barazojë edhe në Zvicër. Gjithsesi, do jetë një ndeshje e hapur. Ne do shkojmë për të dhënë maksimumin tonë dhe për të marrë maksimumin sigurisht. Por ëndrra vazhdon. Me këtë skuadër mund të shkojmë larg. Na presin edhe tri ndeshje, prej të cilave do mundohemi të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundur”, përfundoi De Biazi.


