Shqipëria e pa fat
Lubjanë – Kombëtarja shqiptare nuk ia doli të kthehet e pamposhtur nga Lubjana, ku e zhvilloi ndeshjen e radhës kundër Sllovenisë, në kuadër të eliminatoreve për kampionatin botëror Brazili 2014. Me lojën e treguar dhe me rastet e mira, shqiptarët do ta meritonin plotësisht barazimin e mbase edhe fitoren, por fatkeqësisht sonte në portën e Sllovenisë ishte gardiani Samir Handanoviq, i cili mbrojti edhe goditjet që shumë shikues i shihnin të përfunduara në rrjetin e tij.
Në një ndeshje të ekuilibruar sllovenët erdhën në epërsi në minutën e 19-të me një gol të bukur të Kevin Kampl, i cili goditi anën e majtë të portës së Etrit Berishës nga 22 metra largësi.
Në vazhdim të pjesës së parë të ndeshjes, Shqipëria u përpoq të barazojë rezultatin, mirëpo Odise Roshi nga pas një krosimi të mirë goditi drejt portës së Samir Handanoviqit, i cili ishte në vend dhe nuk lejoi të befasohet.
Në fillim të pjesës së dytë, Giani de Biasi vendosi të forcojë sulmin dhe në vend të Bulkut të indisponuar në mesfushë futi sulmuesin Hamdi Salihi, gjë që e gjallëroi shumë lojën e shqiptarëve. Brenda vetëm 4-5 minutave futbollistët e Shqipërisë patën pesë raste të mira shënimi (Valdet Rama, Lorik Cana, Migjen Basha dhe Hamdi Salihi), por Handanoviq dëshmoi se nuk është kot portier i Interit të Milanos, të cilin në afatin kalimtar u munduan ta transferojnë shumë skuadra të njohura evropiane.
Në minutën e 60-të lojtari më i mirë në radhët e Shqipërisë, Valdet Rama goditi edhe një herë fuqishëm topin drejt portës sllovene, por Handanoviqit iu desh të zgjatej mirë e mirë për ta mbrojtur goditjen që shkonte në këndin e portës së tij.
Në minutën e 70-të De Biasi e bëri edhe zëvendësimin e dytë, duke e larguar Çanin dhe duke e futur në lojë kosovarin nga Podujeva, Agon Mehmeti, i cili momentalisht luan në ligën e parë të Portugalisë.
Në përpjekje për të anuluar epërsinë e sllovenëve, përzgjedhësi i kombtares shqiptare futi në minutën e 79-vendosi edhe Bashën, të cilin e zëvendësoi me kosovarin e skuadrës zvicerane Grashopres, Abrashi. Në ndërkohë edhe Sreçko Katanec bëri dy ndryshime në formacionin bazë, duke e forcuar mbrojtjen.
Në stadiumin e ri të kryeqytetit të Sllovenisë, në Stozhice, i cili pranon 16 mijë shikues, ishin tubuar diç mbi 10 mijë, në mesin e të cilëve edhe rreth 4 500 tifozë kuqezi nga Shqipëria, Kosova, Sllovenia dhe vendet e tjera evropiane.
Në dy takimet e tjera të grupit eliminator me kombëtaren e Shqipërisë, Zvicra u befasua nga Islanda, duke barazuar 4:4 dhe kjo ia vështirëson edhe më shumë punën Shqipërisë, e cila pas katër ditësh do të jetë mysafire në Reikjavik. Në anën tjetër Norvegjia ia doli të mposhtë Qipron me rezultatin 2:0./koha/

