Cana pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Juventusit
Lëndimi që futbollisti kosovar Lorik Cana e mori në fundjavë doli të mos jetë serioz, siç ishin frikësuar në fillim te Lazio. Kapiteni i Shqipërisë, Cana, pritet të jetë i gatshëm qysh për ndeshjen e së shtunës që Lazio e zhvillon kundër kampionit në fuqi të Italisë, Juventus.
Ai ishte lënduar në ndeshjen e së dielës që Lazio e fitoi ndaj Udineses me rezultatin 2:1, ndërsa u zëvendësua pas përfundimit të pjesës së parë. “Jam mirë, nuk kam pësuar asnjë tërheqje.
Të shtunën kundër Juventusit do të bëj çdo gjë që të jem në fushë”, ka thënë Cana, përcjellin mediumet italiane.
Cana do të pushojë dy ditë, pasi fjala është për lodhje të tepërt e jo për një tërheqje të muskulit. “Jemi të qetësuar, sepse Cana nuk ka asnjë tërheqje muskujsh. Është thjesht lodhje e tepërt dhe për këtë arsye do të pushojë dy ditë. Të enjten mund të kthehet në stërvitje dhe mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundjavës kundër Juventusit”, ka thënë mjeku i Lazios, Stefano Lovati.

