FIDANISHTJA

Medvegja ndodhet në një situatë kritike

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Medvegjë – Florim Sahiti theksoi se mungesa e popullatës po rrezikon ekzistimin e shkollave në gjuhën shqipe , por edhe proceset tjera në Medvegjë. Sipas tij, në rast se vazhdon trendi i njëjtë shqiptarët mund të humbin përqindjen aktuale në strukturën e popullsisë prej 15%, me ç’rast do të humbin edhe të drejtën e dygjuhësisë.

Një delegacion i shoqatës humanitare “Medvegja” nga Zvicra i udhëhequr nga sekretari Fadil Selmani ka qëndruar për vizitë pune në Medvegjë me ç’rast është takuar me zëvendëskryetarin e komunës së Medvegjës, Florim Sahiti, me ndihmësin e kryetarit, Ismet Zeqiri dhe me zëvendëskryetarin e Kuvendit Komunal, Fehmi Beha. Takimi kishte për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet shoqatës humanitare dhe komunës së Medvegjës në drejtim të ndihmimit të mëtejmë të komunitetit shqiptar në këtë komunë.

Në fillim të takimit të dy palët kanë shprehur kënaqësi për bashkëpunim të mirë dhe kanë theksuar nevojën për intensifikimin e bashkëpunimit të drejtpërdrejt. Fillimisht iniciativën për këtë takim përshëndeti zëvendëskryetari Florim Sahiti me ç’rast shprehi kënaqësi për bashkëpunim dhe gatishmëri për mbështetje të mëtejme.

Duke shprehur mirënjohje për ndihmën e ofruar nga komuna e Medvegjës dhe për lehtësime të tjera, sekretari i shoqatës humanitare “Medvegja”, Fadil Selmani shprehi dëshirën e lidershipit të kësaj organizate që në të ardhmen të hapë një zyrë apo përfaqësi në Medvegjë. Kjo sipas tij do të ndihmonte shumë shoqatën në drejtim të arritjes së objektivave të saj në aspektin humanitar. Edhe ndihmëskryetari, Ismet Zeqiri, përshëndeti nismën e shoqatës “Medvegja” duke e quajtur atë të mirëpritur dhe duke vlerësuar se një veprim i tillë çon në drejtim të afrimit të të gjitha subjekteve.

Delegacionet kanë vlerësuar lartë organizimin dhe mbarëvajtjen e manifestimit tashmë tradicional “Takimi me diasporën” në Banjë të Sjarinës të cilin kanë mbështetur bashkarishtë. Të dy delegacionet janë dakorduar se në të ardhmen do të punohet me më shumë përkushtim që ky manifestim por edhe ai i Një Majit të organizohen sa më mirë duke përfshirë mundësinë e themelimit të një këshilli unik organizues me mandat katër vjeçar për të dy manifestimet.

Mobi Casa

Ndër të tjera, në këtë takim, Sahiti ka shprehur brengën e tij se Medvegja është në një situatë kritike dhe se duhet punuar në kthimin e popullatës së zhvendosur.

Ai theksoi se mungesa e popullatës po rrezikon ekzistimin e shkollave në gjuhën shqipe , por edhe proceset tjera në Medvegjë. Sipas tij, në rast se vazhdon trendi i njëjtë shqiptarët mund të humbin përqindjen aktuale në strukturën e popullsisë prej 15%, me ç’rast do të humbin edhe të drejtën e dygjuhësisë.

Në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi Sahiti bëri të ditur se Kuvendi Komunal ka paraparë fondin prej 35.000 eurosh për kthim të të zhvendosurve, por këto mjete nuk janë paraparë të jepen në formë të parave të gatshme, por për infrastrukturë.

Në këtë aspekt është theksuar edhe nevoja e identifikimit të familjeve të interesuara për kthim të cilat mund të përfitojnë nga ky fond por të cilat njëherit do të kontribuonin edhe në zgjidhjen e problemit aktual demografik në Medvegjë.

Gjithashtu është theksuar nevoja për intensifikimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe me Maqedoninë me qëllim të ndihmimit të komunës së Medvegjës. Të dy delegacionet janë shprehur optimiste në drejtim të përmirësimit të gjendjes dhe gjërave për të mirën e popullatës shqiptare në Medvegjë./ Fidan Kosumi/medvegjanet/