Kukësi nuk i trembet Trabzonsporit
Kukësi do të hyjë pa frikë në fushën e lojës përballë Trabzonspor. Premtimin e bën Armando Cungu, trajneri i skuadrës verilindore, ndonëse është plotësisht i ndërgjegjshëm për cilësitë që do të ketë përballë në fushën e lojës skuadra e tij.
Për t’u përgatitur sa më mirë për këtë ndeshje, trajneri ka qenë të dielën në Turqi për të ndjekur ndeshjen kundër Besiktasit, raporton gazeta ‘Shqip’.
“Janë një ekip i mirë, mjaft kompakt në lojën e tyre me cilësi të jashtëzakonshme. Por meqenëse kemi kaluar në këtë pikë të turneut, jashtë çdo parashikimi, futbollistët nuk duhet të kenë presionin e zakonshëm dhe stresin për sa i përket ecurisë së ndeshjes. Besoj se duke hyrë në fushën e lojës më lirshëm në aspektin psikologjik, mendoj se do të bëjmë diçka pozitive”, u shpreh Cungu.
Sipas tij, ekipi është sjellë deri tani si profesionist në çdo ndeshje dhe kjo i garanton atij se edhe përballë cilësisë së turqve nuk do të ketë shpërqendrim, sido që të shkojë situata të enjten në “Qemal Stafa”.
“Mendoj se këtë do ta tregojnë edhe në ndeshjen me Trabzonsporin. Rezultati dhe ajo që do të tregojë në fund fusha është çështje tjetër, por jam i bindur se nuk do të ketë shthurje. Objektivi ynë ka qenë i qartë në çdo ndeshje, pasi pavarësisht kundërshtarit, ekipi ynë ka pretenduar dhe vazhdon të pretendojë, cilido qoftë përballë nesh. Edhe po të kemi Barcelonën para, çdo futbollist duhet të hyjë në fushën e lojës për të fituar”, ishte batuta e guximshme e trajnerit shkodran që për këtë ndeshje do të ketë në dispozicion edhe Musollin, Dragoin, Smajlin dhe Çikalleshin.
Ndërkohë, Trabzonspori ka mbërritur në kryeqytetin shqiptar dhe është sistemuar menjëherë në hotel “Sheraton”. Ekipi turk ka udhëtuar drejt Tiranës pa mbrojtësin portugez, Bosingwa, i cili është i dëmtuar për këtë sfidë, ndërsa atyre do t’u mungojë edhe mesfushori argjentinas, Kolman, i cili është i pezulluar për kartonë.

