Mungesë elementare e informacionit apo keqinformim!
Nga Veton Nevzadi – E konsiderojmë të natyrshme që tash në prag të fushatës zgjedhore të ‘ngritët” përkushtimi i aktivistëve partiak për sektorë të ndryshëm shoqëror përmes deklaratave që në të shumtën e rasteve nuk përkojnë me gjendjen faktike. Pa dyshim që kjo është legjitime pasiqë në këtë periudhë kohore mundohen për ndonjë poen politik, mirëpo duhet të kenë kujdes me informacionet që i posedojnë.
Së pari, për udhëheqësit e subjekteve politike dhe për aktivistët partiak është e rëndësishme që për deklarata të tilla të angazhojnë njerëz të informuar mirë për rrjedhat dhe gjendjen e sektorëve të caktuar, në mënyrë që mos t`i fusin në lajthitje të tilla të cilat mund t’i paraqesin si jo të denjë për pretendimet që i kanë si subjekte politike dhe si individë.
Së dyti, është e rëndësishme për subjektet politike dhe aktivistët partiak të cilët dëshirojnë ta promovojnë veten si parti serioze që të mos mbeten në nivel të konstatimeve jo reale, por të japin ide konkrete (me këtë bazë buxhetore) se si do të mund të bëhej ndryshe një menaxhim i një institucioni.
Një deklarate e aktivistit të AAK-së H.A për sportin gjilanas na obligon që ta vëmë në dijeni publikun gjilanas që Komuna e Gjilanit dhe Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport ka bërë dhe po bën punë të mira në funksion të krijimit të kushteve të mira për sportin (gjithmonë duke pasur parasysh buxhetin që e posedon).
Mungesa e informacionit elementar vërehet në leximin e parë të deklaratës së “sportistit” të AAK-së.
E vërteta është që në Komunën e Gjilanit aktivitet sportiv zhvillojnë 34 klube sportive aktive në nivel republikan, e jo 20 klube sportive. Është kjo mungesë e informacionit elementar për dikë që përfaqëson një subjekt politik në këtë sektor.
E vërteta është që klubet e komunës së Gjilanit kanë rezultate të shkëlqyeshme falë përkushtimit të tyre dhe të ndihmës së komunës. Në i falënderojmë veçanërisht për punën e madhe të cilën po e bëjnë çdo ditë në ngritjen e cilësisë së sportit gjilanas.
E vërteta është që klubet e komunës kanë rezultate të mira edhe pas vitit 2002 dhe atë si vijon: KF “Drita” gjatë gjithë viteve rangohet në pjesën e epërme të tabelës në nivel të Kosovës dhe ky është një sukses i mirë, K. F “ Gjilani” me përkushtimin e tyre po e mbajnë gjallë derbin me të madh në Kosovë, K.V ‘Drita’(F) Kupa e Kosovës, KH “Drita” kadetët 9 vjet rresht kampionë të Kosovës, KH “Zhegra’ në elitën e hendbollit të Kosovës poashtu me kadetët kampionë të Kosovës është KBK “Drita’ (karroca) me vendin e parë në Kosovë. Poashtu janë klubet e karatesë që janë referencë për të karatenë ne nivel të Kosovës, janë boksierët e shquar në nivel të Kosovës, janë pingpongistët gjilanas që shkëlqejnë në secilën sezon.
E vërteta është që Komuna e Gjilanit mbulon shpenzimet për kuotizimet e të gjitha klubeve, përkrahë me subvencione klubet (atëherë kur mjetet janë në dispozicion) përkrahë projekte të ndryshme – turne të klubeve (këto vite në volejboll, hendboll, karate, futboll etj.) dhe mundohet të sigurojë edhe sponsorë për klubet gjilanase.
E vërteta është se madje edhe në klubin ku H.A ka qenë anëtarë i bordit të klubit, pra në KB ‘Drita”, komuna ka mbuluar shpenzimet për mbajtjen e tre (3) basketbollistëve amerikan për sezonin që shkoi.
E vërteta është që klubet e të rinjve (juniorët) në baza ditore shfrytëzojnë hapësirat ndihmëse të stadiumit të qytetit.
Sa i përket infrastrukturës sportive dhe stadiumit të qytetit ekziston një përshtypje jo vetëm jona, por edhe e mediave qendrore (të cilat e shprehin shpesh në edicionet sportive) që stadiumi i qytetit në Gjilan është ndër terrenet më të mirëmbajtura në Kosovë. Pikërisht për këtë arsye Federata e Futbollit të Kosovës e zgjodhi stadiumin e Gjilanit për të zhvilluar ndeshjen e barazhit ndërmjet K. F ‘Llamkos Kosova” – Vushtrri dhe K. F “Deqani’ – Deqan.
Përveç kësaj publiku gjilanas duhet të njoftohet që tashmë kanë filluar punimet për ndërtimin e stadiumit ndihmës të qytetit, i cili do ti shërbejë shumë klubeve sportive të Gjilanit. Sipas dinamikës së punëve shpresojmë që ky stadium do të jetë gati në verën e vitit 2014. Drejtoria për Rini, Kulturë dhe Sport vazhdimisht është kujdesur për të gjetur hapësirën ndihmëse për nevojat e stërvitjes klubeve (në FSK dhe në Stanishor), si dhe ka transportuar klubet ashtu siç ato kanë pasur nevojë.
Ndërsa palestrën e sporteve të qytetit të Gjilanit e shfrytëzojnë pa asnjë pengesë të gjitha klubet e qytetit. Me konkretisht në baza ditore gjatë gjithë javës në këtë hapësirë sportive ushtrojnë rreth 600 sportistë gjilanas.
Ka edhe shumë punë tjera të mira që po bëhen, jo me pretendimin që gjithçka është kryer, mirëpo në krahasim me vitet e mëhershme ka progres të madh në këtë fushë. Prandaj, është mirë që aktivistët e partive politike të tregojnë vizionin e tyre për sportin dhe sektorët e tjerë shoqërorë dhe jo të merren me konstatime të pavërteta dhe me zbehje të rezultateve të klubeve dhe të angazhimit të sportistëve gjilanas, të cilët janë qytetarë të Komunës së Gjilanit.
(Autori është drejtor për kulturë, rini e sporte në Gjilan)


