KKVITI

Shkëlqimi i Sulimanit, katër gola në katër ndeshje

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Eksperienca e Benjamin Sulimanit me Vikingun ka nisur si në ëndërr. Futbollisti shqiptar ka realizuar katër gola nga po aq ndeshje, duke u bërë fytyra kryesore në futbollin norvegjez. 24 vjeçari po e shijon këtë moment, ndërsa dëshiron të luajë sa më gjatë me Vikingun. Ndërkohë, drejtuesit e ekipin norvegjez kanë mbetur gojëhapur me paraqitjen impresionuese të tij.

Benjamin Sulimani është duke shkëlqyer në kampionatin norvegjez. Futbollisti shqiptar ka realizuar katër gola në katër ndeshjet e para me skuadrën Viking Stavanger, duke u bërë figura kryesore në vendin skandinav.

24 vjeçari, i transferuar javë më parë ekipi austriak Admina Wacker, i ka lënë të gjithë pa mend në Tippeligaen me kualitetin e tij. Ai shënoi në ndeshjen e fundjavës ndaj Brann Bergen (3-2) në minutën e 27-të, ndërsa luajti 78 minuta.

Deri tash, Sulimani ka zhvilluar 243 minuta me ekipin e ri dhe ka bindur me kualitetin. Ai ndihet i lumtur me formën që po e kalon, ndërsa e pranon se ka dëshirë të qëndrojë në një periudhë afatgjate në ekipin ku luan edhe futbollisti tjetër shqiptar, Veton Berisha.

“Jam mjaft i lumtur këtu dhe dua ta vazhdoj kontratën me klubin. Vetëm ma jepni një letër për të nënshkruar”, ka thënë fillimisht për mediat norvegjeze futbollisti i rritur në Austri.

Mobi Casa

Ai ka nënshkruar kontratë njëvjeçare, ndërsa pret që klubi t’ia ofrojë një kontratë tjetër afatgjate. “Mund të rri këtu për shtatë vjet. Më pëlqen gjithçka këtu”, shton ai.

Trajneri Kjell Jonevret është mjaft i kënaqur me paraqitjet që po i bën Sulimani. “Është diçka natyrore. Normalisht që je i kënaqur me dikë që jep gola për çdo ndeshje”, buzëqesh trajneri norvegjez.

Pa fjalë ka mbetur edhe presidenti i klubit, Christian Rugland. “E ka demonstruar tashmë se sa vlen”, tha ai.

Ndërkohë, drejtori sportiv, Arne Larsen Okland ka filluar të brengoset qysh tash se mos ndonjë klub më i madh do ta marrë Sulimanin. “Kam filluar të preokupohem se mos ndoshta do të marrë ndonjë ofertë nga një klub më i madh. Ai u zbulua tashmë. Do ta kemi një bisedë me të sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Okland.

Viking me këtë fitore është ngritur në vendin e katërt në Tippeligaen. Ky ekip shpreson që golat e Sulimanit do ta ngrisin edhe më lart në tabelë.