Sadiku afër Genoas
Janë ditët e fundit të afatit kalimtar dhe për Armando Sadikun transferimi në një tjetër skuadër, më cilësore se Lugano është tashmë një garë kundër kohës.
Futbollisti i kombëtares shqiptare, një prej emrave më të lakuar këtë verë në tregun e shitblerjeve të kuqezinjve, siç raportojnë dhe mediat zvicerane është pranë një kalimi në kampionatin italian, te skuadra e Genoas, e cila që prej një muaji ka shfaqur interes për sulmuesin.
Tabloidi zvicerane ‘Blick’ bën të ditur, se e ardhmja e sulmuesit të Luganos duhet të zgjidhet brenda këtyre ditëve dhe marrëveshja ka shumë gjasa të arrihet pikërisht me italianët.
Sadiku, që është golashënuesi kryesor i skuadrës së tij sezonin e fundit, ka mundur të realizojë vitin e kaluar 19 gola në 27 ndeshje duke qenë dhe këpuca e artë e divizionit të dytë helvetikë, raporton Super Sport.
Megjithatë për shërbimet e Sadikut, nuk ka shfaqur interes vetëm klubi i Serisë A, Genoa por gjithashtu një sinjal ka dërguar dhe gjiganti i futbollit vendas, Bazel që e shikon Sadikun si një investim të mirë për sulmin.
Ndërsa, ka zëra gjithashtu se dhe disa ekipe të Premierligës kanë trokitur në dyert e Luganos për Sadikun, por në fund ajo që do të bëjë diferencës do të jetë oferta financiare dhe njëkohësisht dëshira e presidentit të klubit zviceran, Anxhelo Renxeti.

