ARKATANA

Drejtori i ngecjes së zhvillimit ekonomik sulmon gabimisht Kurteshin

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Agron Shurdhani – Pas adresimit të shqetësimeve nga kryetari i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, Ismajl Kurteshi, rreth mënyrës së privatizimit, partneritetit publiko-privat dhe likuidimit në komunën e Gjilanit, dëmet që janë sjellur nga këto procese dhe si janë keqpërdorur të gjitha këto procese, e sidomos se si është abuzuar me Ligjin mbi Partneritetin Publiko-Privat (PPP), drejtori i zhvillimit ekonomik, Riad Rashiti, reagon me një shkrim që ka për bazë ofendime personale ndaj Kurteshit.

Drejtori i ngecjes së zhvillimit ekonomik (e jo zhvillimit), në vend se të informojë publikun se çfarë i solli dobi PPP-ja komunës së Gjilanit dhe interesit publik, zhvendoset në tentativë për të sharë. Ngjashëm si kryetari i komunës që po i thoshte Kurteshit se ky i fundit ‘nuk paska aftësi të leximit’, ashtu bashkëvendësi i kryetarit, Riadi, po i thotë: ‘nuk e kupton nocionin e privatizimit’.

Mos të harrojmë se ky komunikim publik nga ana e zyrtarëve komunalë dhe mënyra e komunikimit me opozitën përmes fyerjes, ka për qëllim kryesor zhvendosjen e vëmendjes nga temat e adresuara në tema të personalizuara. Riadi e fyen Kurteshin që nuk paska aftësi të të kuptuarit të nocioneve (!), ndërsa Kurteshi është jo vetëm njohës i nocioneve në mënyrë teorike, por ai edhe ka shembujt praktik për të treguar për dëmet e sjellura nga privatizimi.

Kurteshi po pyet se si është e mundur të bëhet privatizimi, partneriteti publiko-privat, ndërsa në anën tjetër, këto të jenë vetëm nocione në fjalorin e udhëheqjes komunale, por të gjitha në praktikë janë tjetërsime, likuidime, pazare.

Pikërisht, dëshmia kryesore pse Kurteshi po i kupton nocionet drejt, qartë, profesionalisht dhe ligjërisht, mbi privatizimin dhe PPP-në, ai po tregon se këto nocione janë vetëm në letër dhe të gjitha këto procese po bëhen në dëm të komunës së Gjilanit.

Përmes ligjit mbi PPP-në nuk synohet të jepet më shumë se sa të merret për investitorin në dëm të komunës; përmes këtij ligji synohet krijimi i situatave ku komuna nuk ka rrugëdalje tjetër, pos për të kaluar në këto procese, por jo edhe të shndërrohet në afarizëm banesor si synim kryesor dhe përfitim direkt të investitorit, apo ortakëve të pushtetarëve komunalë. PPP-ja edhe pse bëhet me investitorin privat dhe e konsideron atë partner të rëndësishëm, qëllimin final dhe themelor e ka ruajtjen dhe zhvillimin e interesit publik në secilin hap të këtij procesi.

Studim rasti mbi një dështim konkret të PPP-së

Prona që i është dhënë për ndërtim investitorit tek ish objekti i Gjeodezisë dhe Kadastrit, me një përqindje shumë të ulët, ndërsa kjo drejtori komunale kalon në objektin me qera të investitorit për vite me radhë. Për këtë, as njohësit më të mirë të ekonomisë nuk e njohin Partneritet Publiko-Privat, por e quajnë zhvatje. Objekti me qera është thënë nga shumëkush se kushton rreth 6 mijë euro në muaj dhe po bëhen tri vite, ndërsa kontrata për qera është thënë se ka qenë për një vit e gjysmë. Vetëm nëse kalkulojmë këtë qera, do të mund të bëhej një objekt modest me dy hyrje për dy drejtori: Drejtorinë për Gjeodezi, Pronë dhe Kadastër dhe Drejtorinë për Urbanizëm.

Merreni me mend, ky objekt gjendet bash në qendër të qytetit, në zonën më të frekuentueshme, dhe si e tillë është zonë jashtëzakonisht profitabile dhe me vlerë. Komuna nuk po e shfrytëzon PPP-në për të zgjeruar rrugët në qendër të qytetit, për të ndërtuar sheshin e munguar në qytet, për ndonjë park të madh të qytetit, e të tjera interese madhore të komunës siç janë ndërtimi i fabrikave në zonat periferike. Ky është marifeti i PPP-së në Gjilan nga kjo udhëheqje komunale.

FIDANISHTJA

Privatizimi famëkeq

Të gjithë analistët e pavarur të ekonomisë bien dakord se në Kosovë privatizimi ka dështuar në tërësi. Sa i përket këtij procesi, secili prej nesh jo vetëm në komunën e Gjilanit, por edhe në Kosovë, besojnë dhe vlerësojnë se ky proces ka qenë shumë i dëmshëm dhe nuk ka sjellur të mira për interesin publik.

Privatizimi ka larguar rreth 76 mijë punëtorë, e në komunën e Gjilanit, 17 mijë punëtorë. Po ashtu, Gjilani, sikur Gjakova e ndonjë qytet tjetër, ka qenë vend i rëndësishëm industrial, prodhues, madje eksportues, ndërsa tani, Gjilani ka mbetur zonë e tregtisë, madje e tregtarëve të mëdhenj që vijnë prej komunave të tjera dhe kanë dëmtuar rëndë tregtarët e vegjël.

Privatizimi nuk ka sjellur investime të huaja, nuk ka zhvilluar ekonominë, por vetëm ka bërë degradim të ekonomisë dhe zhvillimit. Disa ndërmarrje të komunës së Gjilanit, janë pranë falimentimit, për shkak se kanë investuar në makineri dhe mjete teknologjike, ndërsa në anën tjetër, komuna u ka obligime të mëdha këtyre ndërmarrjeve, dhe shumë prej tyre po punojnë me kredi e kamata super të larta, ‘tu e shtye naj dit’.

Drejtori i zhvillimit ekonomik, Riad Rashiti në vend se të merret me fyerje të opozitarit më aktiv në Gjilan, Ismajl Kurteshit, një personit me përvojë të madhe në politikë, njeriut të drejtë dhe të guximshëm të njohur me ‘ish-kadetin’ dhe shtëpinë e tij tepër modeste përkundër jetëgjatësisë në politike, si shenjë e ndershmërisë totale si udhëheqës, do të duhej të merrej me politika të zhvillimit ekonomik, nxitjen e politikave të investimeve vendore e të huaja, krijimin e politikave favorizuese për prodhim, politika të zhvillimit ekonomik përmes projekteve që kanë për qëllim prodhimin, punësimin dhe zhvillimin.

Riadi nuk është drejtor i zhvillimit të personalitetit, por drejtor i zhvillimit ekonomik, siç e thotë bashkëveprimtari im. Ai duhej të mos merrej me personalitetin e pakontestueshëm madje as nga rivalët, Ismajl Kurteshin, por me zhvillimin ekonomik.

Për fund, ne e ftojmë publikisht Riad Rashitin, për të ndjekur disa ligjërata në zyrën e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për të kuptuar nocionet e privatizimit dhe partneritetit publiko-privat, jo vetëm në teori dhe klikime ‘copy paste’ që po i prekën me maus në kohën e reagimeve në nguti, por edhe praktikisht.

Ne e falënderojmë për shembujt e këqij të PPP-së këtë drejtori dhe komunën e Gjilanit, sepse pa politikat e tyre të gabuara, nuk do të mund të gjenim shembuj praktik për mënyrat se si nuk do të duhej në asnjë mënyrë për të ndodhur privatizimi dhe partneriteti publiko-privat. Eh more Riad!

Agron Shurdhani – koordinator i Nënkomitetit për Ekonomi në Qendrës e Lëvizjes VETËVENDOSJE!-Gjilan