Dështojnë përpjekjet për zgjidhjen e problemeve në Luginën e Preshevës
Përkundër iniciativave të ndërmarra nga vet qeveritarët e Serbisë, që të rifilloj procesi i bisedimeve për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, janë vet qeveritarët serb ata që nuk i mbajnë premtimet për realizmin e takimit që do të shënonte rifillimin e këtij procesi.
Por, fajtor për gjendjen e vështirë të shqiptarëve në këtë zonë, janë edhe divergjencat e shumta që mbretërojnë tek spektri politik i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Përkundër zotimeve të kreut serb, për të rifilluar procesin e zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve në Presheve, Bujanoc dhe Medvegjë, megjithatë nisma e tillë ende nuk duket. Premtimet që me 15 korrik përfaqësuesit e shqiptarëve të takohen me kryeministrin serb Daciq, as pas një jave nga kjo datë, nuk u realizuan. Në këtë situatë shqiptarët ndjehen të tradhtuar edhe një herë nga qeveritarët e Serbisë, ndërkohë që vazhdojnë të përballen me probleme të shumta, transmeton Rtk.
Kryetari i Kuvendit në Bujanoc Jonuz, Musliu, ka deklaruar se kjo situatë e krijuar është vetëm justifikim i qeveritarëve të Beogradit për gjëja interesimin e tyre për Luginën.
Por, jo të gjithë mendojnë se vetëm Qeveria në Beograd është fajtore për dështimin e rifillimit të bisedimeve. Belgzim Kamberi, Kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Luginës, mendon se divergjencat e shumta mes vetë faktorit politik shqiptarë janë pjesë e pandashme e përgjegjësisë për gjendjen aktuale në Luginë.
Për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë, aktivisht janë angazhuar më se dhjetë parti politike shqiptare dhe disa dhjetëra organizata joqeveritare. Ndërkohë ndasitë mes këtyre subjekteve politike e apolitike janë jashtëzakonisht të theksuara.
Përfaqësuesit e partive bartëse të pushteteve lokale, ata të opozitës dhe përfaqësuesit e sektorit civil mund të shihen bashkë vetëm në organizmin e ndonjë proteste gjithëshqiptare, ndërkohë përfundimi i saj do të thotë edhe përfundimi i të qenit bashkë.
Ndryshe gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, vazhdon të jetë e mjerë dhe ajo ndryshon vetëm me disa ndryshime kryesisht infrastrukturore nga situata trembëdhjetë vite më parë.


