Ata nuk ndalen
Nga Ibrahim Rexhepi – Numri më i madh i atyre që sot udhëheqin shtetin para dy dekadash ishin azilantë. Ikën prej dajakut. Këta njerëz kur e morën pushtetin nuk bënë asgjë që kosovarët në vendin e tyre të kenë bukë dhe perspektivë.
Nuk e kam të qartë se çfarë nënkupton kur një anëtarë i kabinetit qeveritar del dhe e pret autobusin që nga një vend evropian po kthehet me plot kosovarë të dëbuar! Athua ata do t’i qortojë pse po ia qesin fytyrën e zezë vendit dhe se po e rrezikojnë procesin e liberalizimit të vizave. Apo, do t’i presë krahëhapur duke iu thënë :”Mirë se vini në mjerim”!
Tek e fundit, ky takim do të jetë vetëm një spektakël. Madje, ata që do të priten nga një qeveritar janë potencial që sërish t’ia mësyjnë Tisës e Hungarisë. Ose, ky pjesëtar i kabinetit qeveritar, për të dëshmuar gjoja përkushtimin ndaj qytetarëve ata prej autobusit do t’i dërgoj nëpër vende të punës- diku në administratën shtetërore e publike. Diku tjetër nuk mundet. Kjo nuk do të ndodhë. Ata sërish do të ballafaqohen me papunësi, skamje dhe situatën e pa perspektivë.
Kjo gjendje del e qartë nga të dhënat zyrtare të po kësaj qeveria. Papunësia ka arritur në 44,8 për qind, kurse te të rinjtë është 60,2 për qind, ndërsa ajo e punësimit vetëm 9 për qind! Pastaj, në tregun e punës vjet kanë hyrë afër 25 mijë veta, ndërsa ishin hapur vetëm 9.500 vende të reja të punës.
Edhe sivjet zhvillimet në tregun punës do të jenë të ngjashme, meqenëse norma e zhvillimit ekonomik prej 3-4 për qind nuk premton punësim. Ndërkaq, në punësim përfitojnë ata që kanë raporte familjare me punëdhënësit, funksionojnë në bazë të relacioneve partiake, ose “e blejnë” vendin e punës. Pra, kualifikimi shkollor dhe aftësia profesionale nuk janë kriteri kryesor për punësim në institucionet qeveritare e publike në Kosovë.
Krejt këto përbëjnë arsyen pse kontingjenti i azilkërkuesve potencial nga Kosova është në rritje. Sado që kjo rrugë është e kahershme dhe e njohur për një numër të madh të shqiptarëve nga Kosova, tash motivet për t’u larguar nga vendi dallojnë shumë nga ato të para 2-3 dekadave. Pas viteve të ’80 të shekullit të kaluar, e posaçërisht pas atyre të ’90, fluksi i azilkërkuesve ishte tepër i madh. Njerëzit nuk iknin vetëm në kërkim të një cope buke, por edhe për të shpëtuar nga rreziku me të cilin përballeshin çdo ditë. Zaten edhe pushteti i Serbisë kishte qëllim që në mënyrë të heshtur ta zbrazë Kosovën dhe këtu të krijoj një bilanc tjetër demografik. Pjesë e kontingjentit të atyre që ikën nga represioni janë edhe një numër i konsiderueshëm i atyre që sot udhëheqin me shtetin.
Ndërkaq, sot motivet për t’u larguar nga Kosova janë krejtësisht tjera. Nuk ka ndjekje e represion të drejtpërdrejtë, por gjithnjë e më shumë po humbet perspektiva. Ajo nuk po ndodhë vetëm për shkak të normës së ulët të zhvillimit dhe nivelit të lartë të varfërisë e të papunësisë, por për faktin se shansin më real për pasurim në këtë vend e kanë ata që janë afër pushtetit, e jo ata që punojnë, apo që përmes shkollimit mendojnë se do të sigurojnë mirëqenie dhe rehati; mundësi zhvillimi dhe perspektivë kanë militantët partiak, e jo ata që janë të përkushtuar në punë dhe të devotshëm ndaj këtij vendi; se mundësi shkollimi kanë fëmijët e këtyre baballarëve, e jo ata që kanë vullnet dhe potencial për dituri.
Këtyre duhet shtuar edhe disa fakte, të cilat edhe më tutje përkeqësojnë ambientin e përgjithshëm dhe rrezikojnë perspektivën e banorëve të këtij vendi: edhe në këtë shekull tërë punën dhe jetën duhet ta koordinojmë me oraret e reduktimit të energjisë elektrike, ujë ende kemi në sasi të kufizuar, niveli i sigurisë individuale ende është i ulët, kurse me një urdhër nga lart amnistohen të gjithë kriminelët dhe bëhen të barabartë me ata që për asgjë nuk i hynë në hak shtetit e pushtetit.
S’do mend se zgjidhje nuk është ikja nga Kosova. Por, problemi me azilkërkuesit kosovar nuk zgjidhet duke iu thënë se pas nënshkrimit të marrëveshjes për riatdhesim “ka vdekur” mundësia që të gjendet strehë në ndonjë vend evropian, apo se duke lënë eshtrat në lumin Tisa e duke mbushur burgjet e kampet në Hungari po rrezikohet liberalizimi i vizave dhe ecja e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ministrat që bëjnë këtë zhurmë duhet ta kenë të qartë se këtë fjalor nuk e kuptojnë ata që secilin mëngjes zgjohen me brengën se si ta sigurojnë një euro për një copë bukë dhe si të sigurojnë ardhmërinë e fëmijëve të tyre. Në këto përpjekje ata janë të vetmuar, meqenëse pushtetarët përgjegjësinë për mirëqenien e qytetarëve, për çka iu premtuan kur morën votën e tyre, e kanë kuptuar si mundësi për përfitime individuale. Për këtë arsye elektorati i tyre tash dergjet në kampet e në burgje të Evropës.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


