UBT

Vit jubilar për pribocasit, viti i pestë i mbajtjes së takimeve të Vendlindjes

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Reportazh nga Ismet Tafili (Bujanoc)- Tradita e mbajtjes së takimeve të vendlindjes në fshatin Priboc ka vazhduar edhe këtë vit. Është viti i pestë, vit jubilar i mbajtjes së këtyre takimeve dhe si i tillë është organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Bujanocit, z Nagip Arifi si dhe të drejtorisë së shtëpisë së kulturës.

Tradita e filluar para pesë viteve, përkundër vështirësive të paraqitura, sidomos në kalimin e kufirit, nuk është ndërprerë as këtë vit falë këmbëngulësisë së banorëve dhe Këshillit të fshatit Priboc.

Ditë e diel, ishte një ndjenjë e veçantë për banorët e fshatit Priboc, sepse me dëshirë të madhe kishin pritur ditën e takimit të Vendlindjes, ditën e bashkimit të tyre në fshatin e tyre të braktisur në periudha të ndryshme kohore e për shkaqe të ndryshme objektive e subjektive.

Mirëpo për të shkuar në vendlindjen e tyre ata duhet të kalojnë kufirin Kosovë –Serbi, i cili kufi është bërë pengesë e qarkullimit të lirë, është bërë pengesë e kalimit me automjete me tabela KS e RKS në punktin policor në fshatin Muhoc. Për fat të mirë autobusi i stërmbushur përplot me banorë pribocas, pas një kontrollimi rutinor, lejohet të ngjitet rrugës gjarpërore për Zarbicë, për të vazhduar me traktor dhe këmbë deri në Priboc.

Familja e Hafiz Musliut na pret me gëzim, dashamirësi e emocione.

Përqafime të ngrohta, buzëqeshje e besa edhe rrjedhje lotësh të banorëve, të afërmve, miqve e shokëve, me rastin e takimit.

Janë këto momente, vërtetë njohje e rinjohje afrie e dashamirësie, por edhe prekëse, sepse, disa prej banorëve dhe të afërme nuk janë parë me vite të tëra.
Zëri i konferencieres i afron banorët pranë binës së inprovizuar në mes të livadhit të gjelbëruar nën hije të pemëve të cilët, disa të ulur e disa këmbë bëhen sy e veshë që ta përcjellin programin.

Bashkatdhetarët fillimisht i përshëndet kryetari i Këshillit të fshatit, Ekrem Haliti. Njëherit ai në fjalën e tij bënë një kronologji të mbajtjeve të takimeve të vendlindjes nga viti 2009 e deri më tash, falënderon kryetarin e komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ish drejtorin e shtëpisë së Kulturës dhe tani shef i Shërbimeve Publike , Bajram Fejzullahu, kryetarin e shoqatës “Vatra” Sejdulla Kadriu të cilët ishin edhe prezent në takim, Këshillin e Fshatit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në mbajtjen e takimeve të deritashme.

Më pas, në emër të kryetarit të komunës Nagip Arifi, takimin e përshëndeti, Bajram Fejzullahu, i cili ndër të tjera tha, se e përgëzojë këtë fshat, Këshillin Organizues që po i mban këto takime në të cilat ju po takoheni në vendlindjen tuaj, po sillni kujtime nga jeta juaj e kaluar e po krijoni mundësi të njihen të rinjtë e këtij fshati në mes vete. Ai, gjithashtu premtoi se komuna e Bujanocit do të jetë përkrah jush, në mundësitë që i ka.

Uji Dea

Takimin jubilar të Pribocit e përshëndeti edhe kryetari i shoqatës “Vatra”, Sejdulla Kadriu. Në fjalën e tij emocionale fillimisht tha se ky takim më shumë bëhet për fëmijët, sepse, siç po e shoh ata janë më të gëzuarit. Më pas ai lavdëroi Këshillin e fshatit duke thënë se ju keni bërë mrekullinë duke organizuar takime ne fshatin tuaj në këto pesë vite në kushte që i kemi. Para bashkëatëdhetarëve shpalosi edhe një historik të shkurtër të luftrave e ngjarjeve në Malësi që nga viti 1912.

Në emër të tri familjeve që jetojnë në fshat, bashkatdhetarët i përshëndeti, Dalush Musliu, i cili u urojë mirëseardhje dhe kërkoi nga ata që mos ta harrojnë vendlindjen e tyre.

Pasi takimi ishte jubilar, dhe për pesë vite ishte bërë një punë shumë e mirë, përkundër pengesave specifike që kanë dal në organizim, Këshilli i fshatit, ndau mirënjohje.

Fillimisht, për përkujdesjen dhe kontributin e dhënë për fshatin Priboc, me mirënjohje u nderua kryetari i komunës Nagip Arifi.

Ndërsa për punën e palodhshme pesëvjeçare në organizimin e takimeve të Vendlindjes, Këshilli i Fshatit me mirënjohje i shpërbleu, Hafiz Musliun, Ismet Tafilin, Ramadan Ramadanin, Mefail Jonuzin, Mefail Sadikun, Xhavit Selmanin, Gani Krasniqin, Rifat Dervishin, Nevzad Abdullahun, Ekrem Halitin, Muzafer Fazliun, Enver Idrizin, Fatmir Krasniqin e Redon Dervishin.

Bukurinë këtij takimi ia shtoi programi kulturo-artistik i përbërë më recitime nga fëmijët e fshatit, vallet e burrave dhe vallet tjera popullore, të përcjellura me tupan e zurna, këngët dhe lojërat popullore e sportive.

Si cicërima zogjsh vjersha për vendlindjen dhe atdheun, recituan: Erblina Musliu, Lumbardh Tafili, Fortesa Haliti, Benjamin Idrizi, Ejona Musliu, Drenushë Ramadani, Redon Dervishi, derisa Laburant Musliu shpalosi kujtime për gjyshin e tij Ramiz Musliu.

Të përmalluara për vendlindjen ishin edhe vajzat pribocase të martuara në vende të ndryshme të Kosovës, disa prej të cilave punojnë e jetojnë në botën e jashtme. Nafije Dauti pa pushuar fare nga rruga e gjatë Zvicër-Kosovë, kishte ardhur në takim me veshje kombëtare e cila nuk dinte të ndalur së vallëzuari./rajonipress/