Dhunimi i vlerave të luftës
Nga Arben Ahmeti – Qysh fëmijë e kam dashur pafajësinë e atij burri. Si funksionar i lartë në ish-Jugosllavi, e pastaj njëri nga njerëzit më të respektuar në familjen tonë në kauzën për liri, më linte përshtypje dukja e tij ndryshe. Ai nuk ishte si burrat tjerë të familjes që mbanin mustaqe e mezi prisnin therjen e ndonjë kafshe në ndonjërën prej shtëpive të familjes.
Therja e kafshëve qe shndërruar në ritin e mbledhjes së burrave që nën shoqërinë e rakisë së shtëpisë (në rastin më të keq edhe të Vodkës që mbante mbiemrin Baltiq), i zhbinin dy shpatullat e lopës së therur derisa shfrynin mllefin mbi milicinë. Për këtë të fundit vazhdimisht përsëritnin se ka ardhur koha për me i ndal. Kur shpatullat e lopës mbaronin, burrat qoheshin një nga një. Disa prej tyre rrugës për në shtëpi ndaleshin nga milicia. Të nesërmen tregonin me mburrje se si ishin keqtrajtuar. Riti i takimeve vazhdonte, por koha për të cilën thoshin se ka ardhur, nuk po ndodhte.
Baca Ymer nuk ishte si këta patriotët e tjerë. Ndonëse më i respektuari nga burrat e mbledhur, ai nuk hapareshej e nuk fliste shumë. Hapte sy e vesh duke i dëgjuar hallet e të tjerëve. Me flokët e kthyer në një anë dhe më një stil që unë e pashë pastaj te shumë diplomatë perëndimorë pasi nisa punën si gazetar, Ymeri, njeriu që kishte halle më shumë se të gjithë adhuruesit e tjerë të rakisë së shtëpisë, u jepte gajret burrave që bënin be se më nuk do ta durojnë “zullumin” e Serbisë.
…
Atë nuk e ka thyer përndjekja e gjatë e paraluftës si njëri nga autorët e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut. Nuk e ka thyer as lufta që e goditi aty ku dhemb më së shumti. Drama e familjes së vajzës së tij është një nga dramat më rrëqethëse të luftës së këtij vendi me njërën nga çmenduritë më të mëdha të njerëzimit. Fytyrën e tij nuk e bëri të vrazhdë rrëfimi i të bijës Vjollcës, që në masakrën ndaj Berishëve të Therandës humbi burrin Sedatin, vajzën Dafinën, djalin Drilonin, dhe ishte hedhur me djalin tjetër Gramozin nga kamioni që po i çonte në varrin masiv. Me qetësinë e diplomatit, gjyshi ishte burimi i pozitivitetit që bëri që familja t`i rikthehej normalitetit. Pozitivet e normalitet që u transmetua më shumë se te çdokush tjetër te vetë Vjollca, gruaja që meriton të gjitha çmimet nobel të kësaj bote për energjinë që ka. Vjollca është gruaja që tash u jep gajret krejt grave tjera të familjes, sa herë që ankohen se po kanë derte.
…
“Baba Ymer e ka ditë i pari po nuk ka mujt me na tregu. U smu”, më tha Gramozi. Djali që tash është simbol i studentit modern të ekonomikut, po më tregonte diçka që nuk po mund ta besoja. Tregimi i tij jo që e kishte thyer plakun e pathyeshëm po ishte aq i rëndë sa që edhe tash kur po e shkruaj po më bën të turpërohem.
Pas lufte, gjetja e trupave të të masakruarve gjithandej Kosovës ishte bërë shkel e shko. Papërgatitja jonë për lirinë goditi edhe në dhimbjen më të madhe. Gramozi nuk po e bënte tragjike porosinë që i kanë dhënë autoritetet se duhej zhvarrosur pjesa e trupave të gjetur të familjes pasi që kishte rezultuar që identifikimi ka qenë i gabuar. Nuk po e bënte tragjik faktin se që 13 vjet pas lufte ka rezultuar që edhe ata trupa të gjysmës së familjarëve të gjetur nuk kanë qenë të tijtë. Po e mundonte ideja e çmendur e autoriteteve që kishin propozuar që ceremoninë e rivarrimit ta bënin në përvjetorin e çlirimit. “Unë nuk dua që ditën e lirisë ta kem përvjetor të mërzisë. Ata e kanë propozuar këtë datë sepse po duan që ceremoninë ta përdorin për fushatën e zgjedhjeve”, më tha Gramozi.
…
Nuk është vetëm Gramozi, ai që këto ditë ka marrë lajmin për riverifikimin e trupave të varrosur të familjarëve. Vjollca, Gramozi dhe shumë e shumë familjarë që prej paslufte presin lajme për trupat e humbur të pjesës tjetër të familjes, këto ditë kanë marrë lajmin se edhe trupat e gjetur duhet të riidentifikohen.
Shoqëria jonë nuk flet për këtë temë sepse ne çuditërisht i kemi shndërruar në vlera të luftës disa individë që tash do të duhet të dëshmojnë para gjykatës nëse janë të pafajshëm apo i janë nënshtruar çmendurisë së luftës duke bërë vepra të çmendura. Ne më shumë i kushtojmë vëmendje arrestimit të një individi sesa gërvishtjes së plagës më të rëndë të kësaj shoqërie për shkak të një pakujdesi total të atyre që kanë përgjegjësinë. Baca Ymer, Vjollca do ta kalojnë edhe këtë situatë. Gramozi nuk do të mposhtet sepse ai është të paktën dhjetë herë më kampion se ekipi i tij i preferuar në futboll, Reali i Madridit. Por, turpi është i yni. Ai na mbetet ne.
(Autori është Redaktor Përgjegjës në gazetën Tribuna)


