Sheshazi kundër ratifikimit
Nga Albin Kurti – Ratifikimi i marrëveshjes Thaçi-Daçiq është dëm me vulë. Pra, dëmin që po ia shkakton kjo marrëveshje Kosovës synojnë t’ia vënë vulën e Kuvendit të Kosovës. Kësisoj, Thaçi e shpërndan përgjegjësinë e tij edhe tek deputetë të LDK-së e AAK-së si dhe e degradon Kuvendin e Republikës në një Kuvend të Qeverisë pa Republikë.
Thaçi po e rrit pushtetin me këtë dialogun politik me Serbinë e po e zvogëlon shtetin e Kosovës. Sepse, pushteti është i tij e shteti është i qytetarëve. Kjo rritje e pushtetit të tij vjen jo vetëm pse faktorët ndërkombëtarë kështu ia tolerojnë korrupsionin por edhe pse opozita (përveç VETËVENDOSJE!-s) po i nënshtrohen atij. Dialogu me Serbinë nuk është vetëm hegjemoni e Serbisë mbi Kosovën, por edhe hegjemoni e Thaçit mbi opozitën.
Në anën tjetër, ngutia e Qeverisë së Kosovës që ta bëjë sa më parë ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës ka të bëjë me minimin e rezistencës së Bundestagut Gjerman për t’ia dhënë Serbisë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Kështu, Thaçi jo vetëm që nuk po i shërben popullit të Kosovës e kombit shqiptar por ai është vënë në shërbim të apetiteve të Serbisë. Ne njëmend nuk mund ta ndërrojmë gjeografikisht fqinjin (Serbinë), por fqinji ynë (Serbia) duhet të ndryshojë politikisht. Kjo bëhet vetëm duke e kushtëzuar atë. Marrëveshja Thaçi-Daçiq, nuk po mundësohet sepse po ndryshon Serbia ose pse ajo ka ndryshuar, por pse Thaçi është i gatshëm të ndryshojë si ta kërkojë puna e mbetjes së tij me çdo kusht në pushtet.
Jemi dëshmitarë qysh Qeveria e Kosovës është përfshirë në pafund negociata me Serbinë për gjithçka e tërë kohën. Thaçi, Kuçi e Tahiri me shpurat e këshilltarëve, përkthyesve e zyrtarëve shtetërorë tashmë po jetojnë në avionin që e lidh Prishtinën me Brukselin. Asociacioni i komunave me shumicë serbe, policia, gjyqësia, fondi zhvillimor për veriun, energjia, telekomunikacioni etj.etj., janë gjithcka që i përket një shteti dhe rregullimit të tij të brendshëm politiko-institucional e socioekonomik. Të gjitha këto janë vënë në pazar: përmes dialogut politik Thaçi-Daçiq, shtetndërtimi i Kosovës është bartur nga Prishtina në Bruksel, porse aty po ndërtohet një shtet i ri i Kosovës që plotësisht i legjitimon interesat e Serbisë duke i pranuar kërkesat e saj.
Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë në dialogun Kosovë-Serbi janë shumë të brengosur nëse do të mund të zbatohet marrëveshja Thaçi-Daçiq. Kjo vetëm sa paraqet një arsye më shumë për të besuar se kjo është marrëveshje e keqe. Natyrisht se marrëveshja e keqe është shumë vështirë të zbatohet. Këtu nuk ka zgjidhje të mirë: ose zbatohet marrëveshja me dhunë dhe Kosova bëhet shtet tërësisht jofunksional drejt dështimit, ose ata dështojnë në zbatim dhe shpërthen gjithçka.
Kosova e mbijetoi disi Planin e Ahtisarit si një operacion kirurgjik që iu bë. Mirëpo, Kosova nuk ka se si ta mbijetojë operacionin e dytë në formën e marrëveshjes 15 pikëshe Thaçi-Daçiq dhe planit të zbatimit përkatës. Pacienti i quajtur Kosovë do të vdesë përgjatë këtij operacioni të dytë.
Ne kemi nevojë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe BE-së. Kjo as nuk po ndodh dhe as nuk ka qenë kurrë qëllimi.
Me dialogun Thaçi-Daçiq u synua veçse normalizimi i marrëdhënieve Serbi-BE, ku ndryshon Kosova që të ndryshojë qasja e BE-së ndaj Serbisë, ndërkaq vetë Serbia të mos ketë nevojë për ndryshim. Është e qartë që normalizimi i marrëdhënieve (të Kosovës me Serbinë) është normalizim i dialogut (ndërmjet Thaçit e Daçiqit). Paqen dhe stabilitetin në Ballkanin perëndimor, faktorët ndërkombëtarë po e mbajnë përmes kriminelëve të luftës në Beograd dhe kriminelëve të korrupsionit në Prishtinë. Normalizimi i marrëdhënieve po arrihet bukur kollaj sepse është normalizim i marrëdhënieve midis kriminelëve që e mirëkuptojnë njëri-tjetrin përgjatë dialogut të vazhdueshëm.
Serbia është bërë hisedare në Bosnje përmes marrëveshjes së Daytonit në vitin 1995. Tash, 18 vjet më vonë ajo po bëhet hisedare në Kosovë përmes marrëveshjes së Brukselit. Nga faktorët ndërkombëtarë Republika Serbe në Bosnje konsiderohet fakt (ani se kriminal) që duhet të pranohet. Republika e Kosovës konsiderohet ende si opinion (këshillëdhënës i GjND-së) i cili e ka të qullët fakticitetin. Republika Serbe negocion e dialogon, por duke pasur për temë Bosnjën e jo veten e saj. Republika e Kosovës negocion e dialogon veçse për veten e saj dhe mandej aty mundohet të gjejë kuptime shtesë e domethënie të reja: dialogu me Serbinë thuhet se na ndihmon në integrimet evropiane (sic.).
Nuk është e rastësishme që nuk ka asnjë trysni ndërkombëtare mbi Republikën Serbe në Bosnje që ajo të lëshojë pe dhe Bosnja ta njohë Kosovën. Ose, nëse ajo trysni paska ekzistuar e ne nuk e dimë, si bëhet që nuk ka dhënë rezultate? Republika e Kosovës si një opinion që s’po bëhet fakt po e shndërron Serbinë brenda Kosovës në një fakt të normalizuar e legalizuar përmes dialogut me të në Bruksel.
Ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës së pavarur jashtë Serbisë po ia lëshojnë vendin ndryshimeve ligjore për hir të akomodimit të Serbisë brenda Kosovës. Po të ishte Qeveria e Kosovës e bindur që marrëveshja Thaçi-Daçiq është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vetë ajo do ta dërgonte këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo, e dinë shumë mirë se nuk është kështu…
Kur Republika s’është në Qeveri dhe nxirret nga Kuvendi, ajo duhet të kthehet në shesh e nëpërmjet sheshit.


