Uji Dea

Me këta lojtarë, Kosova mund të shkonte në botëror

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Lorik Cana me shokë, me të cilët zbriti të shtunën në stadiumin e kryeqytetit, për ta zhvilluar një ndeshje revyale me FC Prishtinën, janë të bindur se Kosova do të kualifikohej në Botëror, nëse do t’i kishte në gjirin e saj lojtarët që mbrojnë ngjyrat e vendeve tjera. Ata besojnë se, pas pranimit në FIFA, Kosova do të arrijë suksese në arenën ndërkombëtare.

Kosova ka qenë gjithmonë furnizuese e mirë me futbollistë për përfaqësueset tjera, por asnjëherë nuk ka arritur ta ndërtojë një ekip të fortë të vetin.

Sigurisht, izolimi i futbollit kosovar e ka bërë veten, pasi përfaqësuesja e jonë nuk ka të drejt ende të zhvillojë ndeshje zyrtare, bile as miqësore.

Shqipëria ka përfituar më së shumti nga futbollistët kosovarë, duke i afruar në gjirin e saj lojtarët si Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri, Mërgim Mavraj, Valdet Rama, Alban Meha, Samir Ujkani, Etrit Berisha etj, që e bajnë ndoshta barrën kryesore në ekipin aktual të Gianni De Biasit.

Por, edhe vendet si Zvicra (Valon Behrami, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka), Finlanda (Përparim Hetemaj e Erfan Zeneli), Norvegjia (Ardian Gashin e Valon Berisha), Suedia (Emir Bajrami e Erton Fejzullahu), Mali i Zi (Fatos Beqiraj) etj, kanë përfituar nga rasti, duke i pasuruar ekipet e tyre kombëtare me lojtarë cilësorë nga Kosova.

Të shtunën, një pjesë e tyre zbritën në kryeqytet, duke e formuar një skuadër të vërtetë yjesh, e cila u përball me kampionin aktual të Kosovës, FC Prishtina.

Protagonistët e kësaj ndeshjeje mbetën të impresionuar me kapacitetin që ka Kosova me lojtarë ‘legjionarë’.

Hidromorava

Madje, një pjesë e tyre mendojnë se përfaqësuesja e Kosovës pa problem do të kualifikohej në një eveniment të rëndësishëm siç është Kampionati Botëror, nëse do t’i kishte në dispozicion të gjithë futbollistët që mbrojnë ngjyrat e vendeve tjera evropiane.

“Sikur Kosova t’i kishte në ekip këta futbollistë, do ta siguronte gjithsesi kualifikimin në Botëror. Madje, mund të shkonte edhe më larg”, ka thënë mesfushori i Lazios, Lorik Cana, i cili qe një kohë të gjatë luan për Shqipërinë, të cilën pritet ta përfaqësojë deri në fund të karrierës.

Të njëjtin mendim e ndau edhe mesfushori i Torinos, Migjen Basha, që muajve të fundit i është afruar Kombëtares shqiptare, pasi më parë e kishte përfaqësuar Zvicrën U-21.

“Kosova ka lojtarë të mëdhenj, të cilët do ta ndihmonin që të arrinte suksese. Është mëkat që Kosova nuk është e pranuar në FIFA. Këtu krijohet një atmosferë e jashtëzakonshme nga tifozët”, është shprehur futbollisti nga Theranda.

Edhe Valon Behrami, që e përfaqëson Zvicrën, është pajtuar plotësisht me mendimin e kapitenit të Kombëtares shqiptare.

Ndoshta Canën, Behramin, Dallkun e Currin nuk do t’i shohim duke luajtur për Kosovën, kur kjo e fundit të pranohet në FIFA e UEFA, por është e sigurt se Kosova nxjerr vazhdimisht talentë, të cilët mund ta përfaqësojnë me sukses në të ardhmen shtetin e ri të Evropës.(express)