Oligarkët e bënë leckë Kushtetutën
Për këto nëntë vjet të funksionimit të shtetit të ri të Kosovës dhe zbatimit të kushtetutës së tij të hartuar në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar, respektimi i kësaj të fundit nga lidershipi politik, që po qeveris vendin, si në nivelin lokal edhe atë qendror, akoma lë për të dëshiruar.
Kur duan e shkelin, kur duan e shpërdorin.
Rastet më të freskëta të shkeljes së Kushtetutës janë Asociacioni dhe Demarkacioni, por analistët numërojnë edhe plot shembuj të tjerë. Pushtetarëve përgjegjës nuk u hyn “therrë” në këmbë,raporton Gazeta Kosova Sot
Për këto nëntë vjet të funksionimit të shtetit të ri të Kosovës dhe zbatimit të kushtetutës së tij të hartuar në bashkërendim me faktorin ndërkombëtar, respektimi i kësaj të fundit nga lidershipi politik, që po qeveris vendin, si në nivelin lokal edhe atë qendror, akoma lë për të dëshiruar. Ky është gjykim dhe vlerësim i njohësve të mirëfilltë të kësaj fushe.
Sipas ekspertëve të së drejtës, Kushtetuta e Kosovës po bëhet një leckë e pavlerë nga oligarkët e pushtetit, qoftë në nivelin qendror ashtu edhe në atë komunal, të cilët kur duan e respektojnë dhe kur duan e shkelin, e keqpërdorin, kur duan e injorojnë dhe e shkelin, sikur të mos ishte. Prof. Muhamet Kelmendi thotë se është fakt i pamohueshëm, që normat kushtetuese ka kohë që shkelen, nga të dy nivelet e pushtetit, nga ai qendror dhe ai lokal, që janë shkelur madje shumë ashpër, por nuk ka masa ndëshkimi. “Ka kohë që në nivelin qendror janë bërë shkelje drastike. Për këtë po i përmendi vetëm disa fakte të kësaj natyre. 1. Marrëveshjet me palën serbe; 2. Asociacioni; 3. Formimi i listës serbe; 4. Demarkacionin; 5. Mos funksioni I gjyqësorit dhe i prokurorisë; 6. Dënimi o Postë-Telekomit të Kosovës për 30 milionë euro; 7. Ndërtimet pa leje nëpër Komuna dhe në kundërshtim me interesin e qytetarëve; 8. Ndarja e tenderëve; 9. Zgjedhja dhe emërimi i njerëzve të politikës në borde etj”, theksoi ai.
Sipas Kelmendit vetëm faktet e përmendura provojnë se jo një herë, por disa herë, Qeveria qendrore, por edhe disa qeveri lokale është dashur të shkojnë në shtëpi, për shkak të shkeljeve kushtetuese.
Kosova, larg shtetit të së drejtës Analisti Kelmendi thotë se ka edhe fakte për krim dhe korrupsion, që gjithashtu janë veprime ndesh dhe shkelje e Kushtetutës, ka mjaft dhe ato janë të atilla që duhet të ndëshkohen sipas ligjit. “Po të përmendim vetëm se sa kryetarë të komunave janë dënuar nga gjykatat dhe askush nuk ka dhënë dorëheqje. Të theksoj vetëm një vendim të Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen mbi Asociacionin, që është shpallur antikushtetues dhe fare nuk ka përgjegjësi institucionale. Thjesht, normat kushtetuese janë vetëm formalisht dhe pa asnjë ndikim në jetën politike në vend”, tha Kelmendi.
Edhe njohësi tjetër i së drejtës kushtetuese, Riza Smaka, thotë se në shtetet e së drejtës, për dallim nga shtetet juridike, ligji suprem i shtetit – Kushtetuta, kryesisht, implementohet me përkushtim nëpërmjet akteve ligjore e nënligjore, por është fat i keq që në Kosovë akoma nuk e kemi instaluar një shtet të tillë. “Aty ku dispozita të caktuara të Kushtetutës aplikohen drejtpërdrejt, në rast të shkeljes së ndonjë dispozite të Kushtetutës, pa asnjë farë hezitimi, në shtetet e së drejtës, ndërmerren masa urgjente, konsekuente dhe efikase. Në anën tjetër, në shtetet juridike, çfarë, mjerisht, është vendi ynë, jo që nuk përfillet Kushtetuta, përkatësisht akte ligjore apo nënligjore të caktuara, por edhe kur konkludohet se është shkelur Kushtetuta, ai akt arbitrar e violent, veçanërisht, kur është në pyetje qeveritari ca më me influencë, çfarë ta zëmë është kryeministri, shkelja heshtet pafytyrësisht dhe pafundësisht!”, tha prof Smaka për “Kosova Sot”.


