ARKATANA

Shqiptarët dhe nacionalizmi

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Shqiptarët kanë një raport të komplikuar me nacionalizmin, në nivelin simbolik mund të konsiderohemi si nacionalistë të mëdhenj. Shumica shqiptare janë nacionalistë, por jo gjithmonë dhe jo të gjithë e shfaqin nacionalizmin në mënyrë të njëjtë. Disa shfaqen si folk-patriotë e disa janë nacionalistë modernë dhe shfaqjet e tyre nuk dallojnë shumë nga nacionalizmi i shteteve të zhvilluara të Evropës, kështu thonë historianë e sociologë, por thonë edhe se shqiptarët janë nacionalistë reaktivë dhe spontanë, por kjo s’do të thotë se nacionalizmi shqiptar është në rënie.

Historia tregon se shqiptarët ndjenjat e veta nacionaliste i kanë shpërfaqur në kohën kur kanë qenë të okupuar, kështu thotë Bujar Dugolli, dekan në Fakultetin e Filozofisë. Dugolli thotë se procesi i formimit të kombit dhe shtetit shqiptar dhe shfaqjet e këtyre ndjenjave ishin të arsyeshme sepse Shqipëria nuk ekzistonte, ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane.

“Kjo ka qenë edhe natyrë e formimit të kombeve, shteteve edhe nëpër vende të ndryshme të botës, edhe në Evropë, por edhe te shqiptarët këto ndjenja janë shfaqur më të theksuara edhe në shekullin XIX edhe në shekullin XX, por edhe në fund të shekullit XX kur Kosova ka bërë një aktivitet të vetin nacional për t’u çliruar dhe si metodë e aktivitetit “Duaje tënden”, “Duaje kombin tënd”, “Mos prano që të jesh i okupuar, i robëruar” i ngjall ndjenjat kombëtare nacionale dhe ky nacionalizon i shqiptarëve edhe në kohën e luftës së fundit në Kosovë ka qenë për ta dashur veten, për ta ruajtur veten, për t’u çliruar nga okupimi”, ka thënë historiani Dugolli për “Zërin”, derisa shton se nuk ka pasur ndonjë ndjenjë asnjëherë në historinë e saj as gjatë shekullit XIX, as gjatë shekullit XX dhe as tani XXI që nacionalizmi shqiptar apo ndjenjat nacionale shqiptare kanë qenë të tilla që kanë pasur aspirata shoviniste apo pushtuese ndaj kombeve tjera dhe kjo është e vërtetuar shkencërisht.

“Mund të them se shqiptarët janë më së paku nacionalistë në Ballkan, për faktin se janë popull shumë liberal dhe shumë më shumë e përqafojnë të huajën, qoftë, kulturën, gjuhën, monumentet, arsimin, sesa të veten, dhe nëse këto janë predispozitat e nacionalizmit apo popujve që e kanë të theksuar shumë nacionalizmin atëherë këto nuk janë te shqiptarët”, ka treguar Bujar Dugolli, teksa ka thënë se nacionalizmi shqiptar nuk ka qenë kundër të tjerëve, por në dobi të vetes, secili shqiptar mund të jetë nacionalist, ta dojë vetveten, ta dojë bashkëkombësin, ta dojë shtetin, territorin, gjuhën, kulturën, arsimin e vet, kjo është ndjenjë shumë normale dhe duhet të kultivohet, por jo ta dojë veten dhe të jetë kundër të tjetrit.

Historiani, Frashër Demaj, ka thënë se është gjë e natyrshme të jemi nacionalistë, por është e papranueshme nacional-shovinizmi, nacionalizmi ekstrem që shfaqet si fashizëm, racizëm, e tjerë. “Shqiptarët janë nacionalistë (shumica prej tyre) por jo gjithmonë dhe jo të gjithë e shfaqin nacionalizmin në mënyrë të njëjtë. Dikush është më racional, kurse të tjerë shfaqen si folk-patriotë”, ka thënë Demaj. Ai shprehet se shqiptarët historikisht kanë kultivuar ndjenjën e nacionalizmit, sidomos viset e pushtuara si Kosova dhe territoret tjera shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, e të tjera, që e kanë parë si të vetmen alternativë për të rezistuar ndaj asimilimit, për të fituar lirinë dhe të drejtat e tyre kombëtare e qytetare.

“Sot shumica e shqiptarëve janë nacionalistë modernë dhe shfaqjet e tyre nuk dallojnë shumë nga nacionalizmi i shteteve të zhvilluara të Evropës të cilat më pak flasin e më shumë punojnë për të realizuar konceptin nacionalist”, ka thënë Frashër Demaj.

Hidromorava

Publicisti Halil Matoshi, thotë se derisa serbët ushqejnë nacionalizëm institucional, ekspansionist dhe egalitar ku marrin pjesë njësoj kryepeshkopi dhe kryeministri, shefi i ushtrisë dhe polici, fshatari dhe anëtari i partisë deri te lideri “Voxhdi”, pra është fashizëm konsensual, si reaksion ndaj tij shfaqet nacionalizmi shqiptar, që është defanziv dhe që i përket konstitucionalizmit shpirtëror, prandaj është folklorik dhe fshatar.

“I pari (nacionalizmi serb), godet sipas modelit të Pogromit (ndodhi me furrat e bukës në pronësi të shqiptarëve në tokën serbe) kurse i dyti, ai shqiptar evokon, duke vizatuar harta mentale në bazë të këngëve folklorike diku në fshat”, ka thënë Matoshi. Sipas tij, shqiptarët janë nacionalistë reaktiv dhe spontanë (pa doktrinë të qartë nacionaliste) porse kjo nuk do të thotë se nacionalizmi i tyre është në rënie.

“Të jesh nacionalist sot, domethënë të shfaqesh me simptoma të një patologjie shoqërore. Nacionalizmi po ashtu është kiç dhe ai mësynë përjashta (një armik) po nëse ai armik dikur tretet dikah, nacionalizmi shpërthen nga brenda (ai ndikon në mostolerancë), me një fuqi të madhe evokuese, sa që rrëshqitja nga nacionalizmi në fashizëm është fare i lehtë”, është shprehur Halil Matoshi.

Sociologu, Artan Muhaxhiri, thotë për “Zërin” se shqiptarët e kanë një raport të komplikuar me nacionalizmin. “Në nivelin simbolik mund të konsiderohemi si nacionalistë të mëdhenj. Bëjmë debate të ashpra nacionaliste, festojmë me emocione të zjarrta, ende krijojmë folklor që kryesisht bazohet në trimëri dhe heroizma epike”, ka thënë Muhaxhiri. Sipas tij, kjo dashuri ndaj kombit nuk përkthehet proporcionalisht edhe në praktikë, gjë që më së miri shihet në mungesën e investimeve në zhvillimin e themeltë kulturor, arsimor dhe ekonomik kombëtar.

“Edhe sot njerëzit mund të jenë nacionalistë klasikë, por rrezikojnë të duken arkaikë, sepse realiteti e pamundëson një gjë të tillë – kryesisht për shkak të migrimeve të mëdha dhe ndryshimeve të strukturave të popullsisë, ose për arsye të imponimeve ekonomike”, ka thënë Artan Muhaxhiri.