ARKATANA

Kurti rrugës së Thaçit

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Nga Enis Veliu – Albin Kurti dhe vartësit e tij brenda partisë që ai drejton, para një kohe jo të gjatë patën shqyer fytin duke akuzuar kryeministrin në largim, Hashim Thaçi, rreth politizimit të bordeve të ndërmarrjeve publike, si dhe atyre lokale e regjionale në vend.

Në atë kohë (para një viti) udhëheqësit e Lëvizjes dhe aktivistët e saj, përmes rrjeteve sociale, komunikatave të shumta dërguar mediave, por edhe përmes organizimeve në rrugë, kishin kundërshtuar fuqishëm këtë dukuri, që, sipas tyre, po shkatërron ndërmarrjet publike dhe vetë shtetin.

Mirëpo, nuk shkoi shumë kohë kur partia e Kurtit po vepron njësoj sikurse partia e kryeministrit në largim Hashim Thaçi.

Po punëson njerëz me libreza partiake, e nëpër borde të ndërmarrjeve publike po dërgon po ashtu aktivistë të partisë.

Para pak ditësh Komisioni Aksionar i ngrohtores së kryeqytetit ka emëruar Bordin e ri të drejtorëve, e ku në mesin e katër personave që janë përzgjedhur është edhe anëtari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Nagip Krasniqi, i cili vjen nga komuna e Prizrenit.

Një veprim të tillë të partisë së Kurtit, pakkush e ka pritur. Madje karshi një vendimi të tillë janë habitur edhe aktivistët e partisë së tij, të cilët kohët e fundit kanë filluar të shfaqin edhe në publik pakënaqësitë e tyre në lidhje me drejtimin e partisë.

E për veprimet e padëshirueshme të liderit të tyre, disa nga ta kishin dhënë dorëheqje nga partia e Kurtit.

UBT

Në komunën e Prishtinës, Lëvizja “Vetëvendosje” e Albin Kurtit, e ka pasur mundësinë që të demonstrojë në praktikë idetë e tyre të kahershme që i kanë promovuar vazhdimisht. Por, së paku deri më tash nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Madje, në disa raste kjo e fundit ka vepruar edhe keq se partia e kryeministrit në largim Hashim Thaçi.

Te partia e këtij të fundit (Thaçit) mund ta gjesh ndonjë zyrtarë të lartë që mund të komunikosh për problemet me të cilat po ballafaqohet shteti. Por, një të tillë e ke të pamundur ta gjesh në partinë që udhëheq Kurti. Ky i fundit në një farë mënyrë luan rolin e të zotit të shtëpisë të një familje patriarkale, ku i zoti shtëpisë vendos për gjithçka.

Kosova është dëmtuar nga politizimi i bordeve të NP-ve, për çka Kurti s’ka lënë ditë pa folur. Por, tash kur njerëzit e tij janë deleguar në këto borde, ai (Kurti) nuk po ndihet i gjallë në opinion.

Qytetarët i kanë dhënë votën partisë së tij, duke besuar në vizionin e tij të promovuar para dhe pas fushate.

I kanë dhënë votën, duke besuar se ai do të ndryshojnë qeverisjen që e ka shkatërruar dhe po shkatërron vendin.

Por, qytetarët e varfër të këtij shteti, nuk i kanë dhënë votën Kurtit për të ardhur në pushtet e për të realizuar synimet e tij dhe të një grupi të vogël të njerëzve, e duke injoruar të tjetër (ata që votuan).

Tek e fundit kështu pati vepruar kryeministri në largim Hashim Thaçi, i cili së fundi po përjeton ditët më të vështira gjatë karrierës së tij politike.