Mobi Casa

Flet “Ana Franku”, vajza 9-vjeçare që mbajti ditar për luftën në Kosovë

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Botimi i pjesëve të ditarit të Rreze Abdullahut te “Milosao”, më 6 janar të 2013- s, pati shumë jehonë. Dhe kjo qe mëse e natyrshme, se në faqet e atij ditari, mund të shikosh përcjelljen e jehonës së luftës nga një nxënëse 9-vjeçare, që di të shkruajë, por luftën e sheh shumë “çuditshëm”, ashtu si mund ta shikojë një fëmijë në moshë të tillë.

Pa notat e zakonshme të lavdisë (por, që edhe asaj çuditërisht nuk i mungojnë) dhe me një qashtërsi fëmije ajo tregon për gjyshin e vet, nënën, qenin plak, familjen, mësuesin, Maqedoninë dhe ushtarin serb që i ruan dhe shumë e shumë gjëra të tjera?! Atë që ke parasysh nga imazhet e stacioneve të huaja televizive për Luftën në Kosovë, në këtë rast, ke mundësi ta shikosh direkt nga dëshmia e një fëmije vetëm nëntë vjeçe.

Njerëzit mundohen që tek fëmijët lufta të vijojë sa më e vogël, por edhe tek Rrezja e asaj kohe ky kumbim i tmerrshëm nuk mund të fshihet dot. Gjuha e përdorur, por edhe gjendja e letrës, si thotë kuratori i saj, prozatori i njohur Petrit Palushi, i cili është marrë me të, nuk lë vend për diskutime dhe i takon realisht asaj kohe. Një letërsi e tillë i bën nder Kosovës dhe Shqipërisë dhe është një subjekt i jashtëzakonshëm për Luftën e Kosovës. Faktet e thjeshta sesi fëmija e shikon luftën, por më shumë akoma dashurinë për jetën, tregojnë se lufta s’është aq “e tmerrshme”, por njerëzit që e bëjnë atë janë mostra.

FIDANISHTJA

Si ka mundësi që ditari u bë i hapur për publikun shumë kohë pas vitit 1999, kohë në të cilën e ke mbajtur atë?

“Unë fletoren e ditarit e kisha konsideruar pothuajse të harruar. Kishte mbetë në kujtimet e mija të fëmijërisë dhe pak më kujtoheshin shënimet e asaj kohe. Së bashku me fletoren, unë kisha edhe disa poezi që i kisha shkrujtë gjatë asaj kohe. Por kisha edhe shumë shënime të tjera. Gjithmonë në këtë aspekt, është kujdesur halla ime. Ajo ka ruajtur gjithmonë çdo gjë që ka të bëjë me mua, pasi kam qenë shumë e lidhur me të. Në nëntor të vitit 2012 ajo më solli fletoren e ditarit dhe poezitë. Më tha: “Shiko çka kam gjetë, e kisha harru krejt fletoren, për pak deshta me e hedhë, por thashë më mirë me ta sjellë ty. Ndoshta ke qejf me lexu se çka ke shkru kur ke qenë e vogël”. Unë u gëzova shumë. Për herë të parë në shpi ne e lexuam të gjithë bashkë atë fletore. Qajtëm, qeshëm me ato gjëra kaq fëmijnore që unë kisha shkrujtë. U thashë njerëzve të shpisë se më duhet me ruejtë fletoren, derisa vendosa, me shumë dyshim, ta publikoj një fletë në face-book dhe ta shpërndaja te miqtë e mi! Shkrimtari Petrit Palushi e kishte vërejtë në face-book atë fletë ditari, të datës 10 prill 1999. E publikoi në faqen e vet ku nënvizonte se Ditari i Rreze Abdullahut, si Ditari i Ana Frankut. Vëmendja dashamirëse rreth ditarit tim dhe konstatimi i tij më dhanë krahë e zemër. Kur bisedova me të, më tha shumë fjalë të ngrohta. Ai u njoh me ditarin e plotë, origjinalin, dhe në fund më tha: “Ti ende s’e kupton çfarë mrekullie ke shkruar!” Më nxiti gjithashtu se ky ditar duhej botuar patjetër. Kështu lindi bashkëpunimi. U binda plotësisht se unë u kam borxh, nëse askujt, fëmijëve të luftës dhe gjeneratave që do të vijnë pas. Ndoshta, fillimisht një fletë e ditarit në face-book, u bë shumë fatlume për mua, që të merrte rrugëtimin dhe botimi i pjesëve të Ditarit te “Milosao”, krijoi mundësi që lexuesit të njiheshin me to”.

A ke vazhduar ta mbash ditarin deri në ditët e sotme?
“Unë kam shkruar ditar prej e vogël, prej fëmijërisë, shumë heret. Kam vazhduar të mbaj ditar deri para pak kohësh dhe pastaj ndalova. Dy ditarët e mi të fundit janë gjatë kohës sa isha në Amerikë, në verën e vitit 2011, ku kam qëndruar katër muaj. Njëri prej ditarëve ka të bëjë me përvojën, me ditët e mija atje në pergjithësi dhe ditari tjetër, që unë e konsideroj si një ditar shumë të veçantë, gati sa ditari i luftës, është një ditar i shkruar brenda tre ditëve, gjatë kohës së evakuimit të studentave ndërkombëtarë për shkak të uraganit, të cilin unë e konsideroja një luftë të pashpresë, por fatmirësisht ia dolëm. Por, masandej kur erdha në shpi, sikur ndjehesha e lodhur shumë nga përjetimet e fundit dhe ditari me shkaktonte ankth. Atëherë pushova së shkruari, për të vijuar tani të shkruaj prap… Sidoqoftë, mua nuk më pëlqen t’i lexoj ditaret e mi, kam shumë qejf vetëm t’i ruaj, t’i ruaj përjetësisht. Kjo s’do të thotë se kam qejf t’ua lë të tjerëve në dorë, përveç ditarit të luftës, për të cilin u binda disi, veçanërisht me këmbënguljen e z. Palushi, se ditari fsheh ndjenjat më të thella, ose thënë më mirë, është nji oqean i pafund ndjenjash!”