Raporti i Progresit, “shuplakë” Kosovës
Mungesa e institucioneve të kompletuara e ka kthyer Kosovën mbrapa në agjendën e saj evropiane. Kështu ka vlerësuar të mërkurën në Bruksel komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stephan Fuele, në ditën kur edhe është bërë publikimi i Raportit të Progresit për Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Por, për të tejkaluar këtë krizë, komisionari Fuele gjatë një konference të mbajtur, ka thënë se BE-ja është e gatshme që ta ndihmojë Kosovën por kjo ndihmë, sipas tij, do të ofrohet në rast se kërkohet nga të gjitha palët e Kosovës.
”Ne asnjëherë nuk themi jo. Ne jemi në pritje kurdo që partnerët tanë besojnë se është koha për të ofruar ndihmën tonë”, ka thënë Fuele.
Gjithashtu për të tejkaluar krizën institucionale, Fuele ka thënë se BE-ja e përkrah rolin dhe potencialin që ka presidentja e Kosovës në tejkalimin e krizës politike në Kosovë./zeri/


