Eko Higjiena

Raportet e kota të Auditorit

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Enis Veliu – Qindra apo edhe mijëra shkelje për keqpërdorime e abuzime të ndryshme me paratë publike janë evidentuar vetëm gjatë vitit që lamë pas nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP). Mirëpo, ka edhe shumë të tjera që janë bërë larg procedurave të Prokurimit dhe nuk janë evidentuar nga askush.

E për përqindjet që jepen në këmbim të dhënies së paligjshme të tenderëve s’po flasim hiç, sepse numri i tyre është shumë i madh e ku për fat të keq është duke u rritur edhe më shumë dita-ditës. Rritjen e kësaj dukurie po e “shton” edhe infrastruktura aktuale ligjore, ku i trajton në mënyrë të barabartë si ata që kërkojnë korrupsion, por edhe ata që detyrohet ta japin atë.

Dhënia e ryshfetit prej 5, 10, 20 apo edhe më shumë për qind, si kusht për të marrë një punë publike, tashmë thuajse është bërë normë zyrtare në Prokurimin Publik.

Shumë thjesht, paguan tarifën realizon kërkesën. Në të kundërtën mbetesh duarthatë.

Si në të kaluarën, por edhe tash shumë procese të Prokurimit janë prishur në mënyrë të jashtëligjshme, vetëm e vetëm pse pala që është shpallur fituese nuk ka pranuar ta japë përqindjen si kusht për ta nënshkruar kontratën me Autoritetin Kontraktues.

Bazuar në dokumente zyrtare, shihet se gjatë vitit që lamë pas përmes 6700 proceseve të Prokurimit, janë shpenzuar rreth 616 milionë euro apo rreth 40 për qind të mjeteve totale të buxhetit të Kosovës.

Mobi Casa

Nëse bazohemi në “tarifat” që aplikohen nga zyrtarët e Prokurimit, atëherë shihet qartë se më shumë se 100 milionë euro, para të arkës së Shtetit, përfundojnë në dorë të zyrtarëve të korruptuar të Prokurimit, sekserëve të tyre apo edhe “peshqve” të mëdhenj të politikës kosovare.

Shkalla e lartë e korrupsionit në Prokurimin Publik kohëve të fundit ka zënë vend thuajse në çdo raport ndërkombëtar të hartuar për Kosovën e ku iniciativa për ta luftuar këtë dukuri ka munguar dhe po mungon në vazhdimësi nga institucionet vendore, pasi që individë të caktuar brenda tyre janë profiterët kryesorë.

Andaj, nëse gjykatat nuk kanë shumë mundësi dhe kapacitete për ta luftuar krimin, ata së paku duhet t’i shfrytëzojnë raportet e Auditorit Gjeneral të Kosovës, pasi që numri i shkeljeve dhe i abuzimeve të publikuara në to është tepër i madh.

Në kushte dhe rrethana normale, raportet e Auditorit të Përgjithshëm duhet të shërbejnë si provë për gjykatat e vendit, në mënyrë që këto të fundit t’i “luftojnë” abuzuesit e arkës së Shtetit. Mirëpo, fatkeqësisht deri më tash një praktikë e tillë thuajse nuk është ndjekur fare. Auditori i Përgjithshëm deri më tash ka hartuar me qindra apo edhe me mijëra raporte e ku shumica e tyre janë arkivuar ende pa u hapur fare.

E si për çudi, nuk janë as të vogla rastet, kur shkelësit dhe abuzuesit e fondeve publike i kanë përqeshur dhe janë tallur me raporte të tilla, siç i kanë konsideruar ata si joprofesionale. Por, as me këto raste askush nuk është marrë.

Andaj, duke i parë të gjitha këto po del sa Auditori Gjeneral është vetëm një barrë e madhe për buxhetin e Shtetit, pasi që puna e tij defakto po shihet si e panevojshme për organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës.