ARKATANA

Kush po flet për kushtetutshmërinë?

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Për më gjatë se 100 ditë, punëtorët e Fabrikës së Tubave nga Ferizaj mbajtën grevë për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mbajë një premtim që kryeministri atyre u kishte dhënë gjatë fushatës elektorale: respektimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që ka të bëjë me kompensimin e këtyre punëtorëve. Për një kohë të gjatë qeveria vazhdimisht kishte injoruar atë që kërkohej në këtë Aktgjykim dhe kishte injoruar edhe vetë punëtorët e Fabrikës së tubave.

Në fakt, kur LDK kishte kërkuar të debatohej për këtë çështje në Kuvend dhe kishte dalë me propozime konkrete, PDK dhe qeveria e udhëhequr prej saj tallej me këto kërkesa. Kjo tallje vazhdoi kur kryeministri në nevojë të votave gjatë fushatës elektorale u premtoi punëtorëve të fabrikës zbatim të menjëhershëm të aktgjykimit. U festua shumë për këtë premtim, por ai nuk u realizua kurrë.

Pra, aktgjykimi i gjykatës kushtetuese nuk u respektua asnjëherë nga PDK, edhe pse gjykata shumë qartë kishte theksuar se cilat janë obligimet e qeverisë në raport me punëtorët e Fabrikës së Tubave.

Hidromorava

Injorimi i këtij Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese është shembull tipik i sjelljes së PDK-së. Ajo thirret në aktgjykime dhe i respekton ato kur i pëlqejnë, por i injoron dhe i shkelë ato kur nuk i shkojnë në favor. Aktgjykimi i Gjykatës në rastin e Fabrikës së Tubave nuk është i vetmi shembull. PDK tashmë ka paralajmëruar (tërthorazi) se nuk do të respektojë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatarin e qeverisë. Zyrtarë të lartë të kësaj partie kanë thënë se ky aktgjykim kërkon që në rast se PDK nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë presidentja e ka për obligim të propozojë një kryeministër konsensual. Në fakt, ky aktgjykim nuk e kërkon këtë lloj zgjidhjeje, prandaj të insistohet në një interpretim të tillë nënkupton se PDK po thërret për mosrespektim të këtij aktgjykimi. Aktgjykimi për mandatarin, përderisa e lë në diskrecion të presidentes të vendosë se kë e mandaton herën e dytë, megjithatë përcakton disa kritere mbizotëruese, ndër të cilat përmenden evitimi i zgjedhjeve të reja dhe përcaktimi për dikë që mund të dëshmojë se e ka shumicën. Është e qartë që këto kritere plotësohen nga koalicioni i partive LDK, VV, AAK dhe NISMA. Prandaj thirrja që po bënë PDK për të injoruar këto kritere të përcaktuara nga gjykata është thirrje për mosrespektim të aktgjykimit të kushtetueses.

Gjatë më shumë se 7 vite qeverisje pas shpalljes së pavarësisë, dhe disa vite qeverisjeje para 2008-ës, PDK është bërë simbol I shkeljes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Respektimi i kushtetutës asnjëherë nuk ka qenë me rëndësi për këtë parti, e cila e ka injoruar Aktin më të lartë juridik të shtetit për të instaluar një sistem gjysmë-autoritar, ku shkelen të drejtat e njeriut, instalohet monopoli në ekonomi, zaptohen institucionet e pavarura, ekonomia funksionon vetëm për xhepat e atyre që janë të pushtetshëm në PDK, taksat e qytetarëve keqpërdoren në maksimum, korrupsioni e krimi bëhet ABC-ja e funksionimit të institucioneve, qytetarët nuk ndihen të sigurt dhe nuk mund të lëvizin lirshëm në pjesë të caktuara të vendit dhe imazhi i shtetit shkatërrohet ndërkombëtarisht. Në shkeljet e përditshme dhe të njëpasnjëshme gjatë viteve të qeverisjes së saj, kushtetuta e ligjet kurrë nuk ishin të rëndësishme për PDK-në. Por, për paradoks, është pikërisht kjo parti që tani po thirret në kushtetutshmëri dhe në respektim të institucioneve kushtetuese. Tani sillen sikur mos të ishte pikërisht kjo PDK ajo që instaloi praktikën e mosrespektimit të kushtetutës e ligjeve, dhe pikërisht kjo PDK që u sigurua që shteti të shënojë regres në pothuajse të gjitha fushat, pikërisht për shkak të shkeljeve të kushtetutës. Këta njerëz tani po flasin për kushtetutshmëri. Por sikur PDK të respektonte kushtetutshmerinë, nuk do të vinte në një situatë ku askush nuk do ta pranonte si partner qeverisës. PDK sot është pengesa më e madhe për vënien e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Prandaj, kjo pengesë duhet të hiqet.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe deputete në Kuvendin e Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)