ARKATANA

Për jetë a vdekje

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Imer Mushkolaj – Nuk është vetëm qëllimi që Hashim Thaçi të mos vazhdojë më së qeverisuri shkaku që po i mban bashkë liderët e Bllokut. Edhe shumë arsye të tjera fshihen pas synimeve të tyre për të ardhur në pushtet – ashtu si dhe pas synimit të Thaçit për të mbetur kryeministër. Janë arsye që i sjellin në situatë “për jetë a vdekje” ata.

Thonë të jenë parimorë në qasjen e tyre karshi njëri-tjetrit dhe partive të tyre. Por përtej parimeve, që për shumicën e liderëve politikë kosovarë duken diçka e panjohur, ka të tjera arsye që i kanë betonuar ata në qëndrimet e veta. Arsye “për jetë a vdekje”.

* * *

HASHIM THAÇI për tetë vjet në pushtet ia ka dalë të krijojë një shtet të dobët, të qeverisur po ashtu dobët nga ai dhe “garda” e tij. Ai ka shtrirë rrjetin e vet në të gjitha institucionet dhe agjencitë e pavarura, duke e kthyer vendin në burim përfitimesh financiare e privilegjesh të tjera për të gjithë ata që e kanë zbatuar misionin e tij dhe duke varfëruar të tjerë që përbëjnë shumicën.

Me humbjen e pushtetit, ai dhe PDK humbin gjithçka, sepse me ardhjen në pushtet fituan gjithçka. Tash, Thaçi po bën çmos që të mbetet ende në qeverisje, qoftë edhe me një copë pushteti, për ta çuar tutje misionin e kapjes së shtetit. E ka “për jetë a vdekje” këtë qëllim.

ISA MUSTAFA është në tjetër situatë. I goditur keq nga humbjet e njëpasnjëshme të tijat dhe të LDK’së, ai po përpiqet që me zgjedhjen në krye të Kuvendiit të Kosovës të gjejë një strehë mbrojtjeje nga anëtarët e partisë së tij. Ndonëse një post krejtësisht teknik dhe pa kurrfarë peshe politike, Mustafa është lidhur fort për të, sepse shpreson se vetëm në këtë mënyrë do të mund ta gjejë një grimë arsyetim për disfatat e pësuara. Shpreson se në këtë mënyrë do të mund të arsyetohet sadopak para atyre që e votuan për ta bërë kryeministër, e jo kryetar Kuvendi – para atyre që nga ai pritën përgjegjësi, e jo dorëzim. Andaj e ka “për jetë a vdekje” marrjen e këtij posti.

RAMUSH HARADINAJ ia ka dalë njëherë dhe shpreson t’ia dalë sërish që të vijë në krye të Qeverisë jo si fitues i zgjedhjeve, por si produkt kombinatorikash politike që ngjajnë në situata specifike.

Para dhjetë vjetësh, kur Ibrahim Rugova ishte i obsesionuar me postin e presidentit të vendit, ai ia doli që për një kohë të shkurtër ta udhëheq Qeverinë, ndërkohë që e pasuan dy kryeministra nga partia e tij. Me fuqinë e votës që e ka, Haradinaj vështirë se do t’ia dalë ndonjëherë të vijë në krye të Ekzekutivit si parti e parë, kështu që marëveshjen që e bën atë shef Qeverie edhe njëherë e sheh si një rast që kurrsesi nuk bën të lëshohet. Rast “për jetë a vdekje”.

UBT

ALBIN KURTI duket se e ka ndërruar strategjinë e ardhjes në pushtet. Njëherë e një kohë thoshte se vetëm pasi që t’i fitonte zgjedhjet, do të vendoste se me kë të qeverisë. Por, tash e ka ulur pazarin dhe ka paralajmëruar bashkëqeverisje me Bllokun.

Mbase do ta ketë menduar mirë këtë strategji, ndryshe nuk do të vinte në një situatë që të qeverisë bashkë me ata që jo shumë kohë më parë i godiste me akuza nga më të rëndat. Edhe zhgënjimi nga pritjet për të marrë më shumë vota në zgjedhje mund ta ketë bërë të veten. “Për jetë a vdekje” mund të konsiderohet edhe pozicioni aktual politik i tij.

FATMIR LIMAJ me Nismën e tij e ka jetike të jetë pjesë e qeverisjes – mbase edhe për arsye fort banale siç mund të jetë hakmarrja ndaj ish-shefit të tij, Hashim Thaçit. Me përfshirjen në Bllok ai i ka dërguar mesazh të qartë PDK’së se është kthyer në faktor politik që është fort i rëndësishëm në situatën aktuale, kur çdo votë deputeti vlen më shumë se asnjëherë. “Për jetë a vdekje” e ka këtë betejë politike.

* * *

Po të ishin në një tjetër situatë, liderët e Bllokut zor se do të ishin bërë bashkë. Madje, vetëm para pak javësh ishte e paimagjinueshme se edhe Albin Kurti do t’iu bashkohej në misionin e tyre, për të mos lejuar “misionin e ri”.

Ata i dëgjojmë çdo ditë të flasin publikisht sesi janë bërë grusht dhe nuk do të lëshojnë pe kurrsesi. Por, përtej qëllimit të mirë dhe misionit fisnik që të mos e lejojnë më Hashim Thaçin të qeverisë, ata e kanë hallin e vetes dhe fatit të tyre politik. Ashtu siç e ka hallin e të ardhmes së vet politike edhe Hashim Thaçi.

Fati politik i tyre varet nga epilogu i telenovelës së krijimit të institucioneve. Por, më e dhimbshmja në këtë mes është se fati dhe vullneti i qytetarëve tash katër muaj ka mbetur peng i një misioni për marrjen e pushtetit. Misioni për jetë a vdekje!