UBT

Bajrami: Isa Mustafa si kryeparlamentar, nder për institucionet, por…!

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Pretendenti për kreun e Kuvendit nga koalicioni parazgjedhor i PDK-së, akademik Arsim Bajrami, ka thënë se zgjedhja e kandidatit të LDK-së, akademik Isa Mustafës si Kryetar i Kuvendit, do t’i bënte nder institucioneve të vendit. Ai madje ka thënë se me shumë kënaqësi do të mbështeste kandidaturën e tij. Por, thotë se këtë nuk ia lejon kushtetuta!

“Kushtetuta e Kosovës pamundëson që propozimi të bëhet nga ndonjë grup tjetër parlamentar, që nuk është grupi më i madh parlamentar”, ka thënë akademik Arsim Bajrami, në një prononcim për portalin Koha.net.

“Gjithçka është e negociueshme, përveç, normave kushtetuese dhe vendimeve të gjykatave për të cilat jemi betuar si përfaqësues të popullit që t’i zbatojmë dhe t’i mbrojmë”, ka shtuar më tej Bajrami, teksa ka mohuar lajmin se ka hequr dorë nga kandidatura për të drejtuar institucionin më të lartë të legjislativit në vend.

Sipas tij, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, është “e qartë që është e drejtë dhe obligim i Partisë Demokratike të Kosovës të propozojë kandidatin për Kryetar Kuvendi”.

Uji Dea

“Kuvendi i Kosovës është institucion që i takon 120 deputetëve të zgjedhur. Rrjedhimisht, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk duhet të kuptohet si shqetësim vetëm i deputetëve të PDK-së, por i të gjithë deputetëve të Kuvendit, sepse moszgjedhja e kryetarit të Kuvendit pamundëson punën e të gjithë deputetëve”, ka thënë Bajrami.

Në lidhje me lajmin që ka qarkulluar gjatë ditës së sotme, se akademik Bajrami ka kërkuar që të tërhiqet nga kandidatura për kreun e Kuvendit, për Koha.net ai e ka mohuar një gjë të tillë.

Bajrami ka thënë se mbetet përcaktim i Partisë Demokratike të Kosovës, deputetëve të grupit parlamentar të PDK-së që ai të vazhdojë të jetë kandidati i tyre për Kryetar.

“Mendoj që vota e djeshme ishte votë e përcaktimeve dhe ndarjeve politike, më shumë se sa e vërejtjeve apo rezervave që mund të kenë pasur deputetët rreth kandidaturës time. Unë këtë e kuptoj plotësisht dhe e respektoj. Mirëpo, unë uroj dhe shpresoj që të gjejmë zgjidhje politike në përputhje me normat kushtetuese që mundësojnë funksionalizimin sa më të shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë dhe përballë këtij qëllimi madhor që të zgjedhim institucionet e vendit, kandidaturat dhe emrat e përveç janë krejtësisht të parëndësishëm”, ka thënë Bajrami. /Koha.net/