Pajaziti: Nëse ka bllokim, PDK shfrytëzon hapësirën ligjore për kryetarin
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka deklaruar se PDK ka treguar gatishmëri që të bisedohet me subjekte tjera por se vazhdojnë të qëndroj këmbëngulës në zbatimin e Kushtetutës së vendit.
Ai ka shtuar se nëse imponohet ky proces deri në zgjedhje, PDK nuk ka pse tu frikësohet zgjedhjeve.
Pajaziti, ka ftuar gjitha subjektet e partive politike që sa më shpejtë të jetë e mundur të përgatiten që seanca e ardhshme të jetë seancë e konstituimit të institucioneve, duke formuar organet e Kuvendit, në mënyrë që t’i hapet rrugë edhe formimit të institucioneve të tjera.
Ai ka treguar se nëse ndodh që të ketë sërish bllokim të funksionimit të Kuvendit, PDK, sërish do ta shfrytëzoj gjithë hapësirën ligjore për zgjedhjen e kryetarit, që sipas tij i takon PDK-së.
“Ne kemi bërë kontakte të ndryshme me parti politike, presim që në Kuvend të gjithë deputetet të kanë përgjegjësi, të votojnë lirshëm dhe në përputhje me Kushtetutën. Nëse do të ndodh një bllokim i radhës, nëse nuk do të mund të funksionoj prapë Kuvendi, atëherë ne do të sillemi sipas rrethanave të reja. Besoj se kësaj radhe të gjithë deputetët do të votojnë. Mendoj se do të kërkojmë gjithë hapësirën ligjore legale për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit i cili i takon PDK-së”, ka theksuar Pajaziti.
Pajaziti ka treguar se PDK është e gatshme që të funksionalizoj institucionet.
Por sipas tij, nëse pengohet kjo gjë do të hyhet në një rreth pa dalje.
“Nëse kjo gjë pengohet pafundësisht besoj se do të hyjmë në një rreth pa dalje ku pritet involvimi prapë i institucioneve tjera. E kemi thënë disa herë që PDK është e gatshme të funksionalizoj institucionet e Kuvendit, rrjedhimisht dhe pastaj të vazhdoj me institucionet e tjera. Nuk është në interesin e askujt që të përsëriten zgjedhjet. Ne kemi pasur fitore bindëse dhe kemi tregu gatishmëri të bisedojmë me subjekte tjera, dhe nëse imponohet ky proces deri në zgjedhje ne nuk kemi pse të frikohemi pastaj”, ka pohuar Pajaziti.
Ndryshe, Pajaziti ka shtuar se PDK-ja nuk ka qenë asnjëherë që të shkohet në zgjedhje por nuk ka treguar nëse i kanë numrat për ta fituar postin e Kryetarit të Kuvendit.
Pajaziti ka pohuar se puna e numrave është banalizuar në skajshmëri, duke thënë se në seancë duhet të shihen subjektet politike dhe deputetët me vullnetin e tyre, ndërsa numrat duhet të shihen vetëm në seancën plenare. /KP/


