Hidromorava

VV: PDK-ja dhe Beogradi po zvarrisin qëllimshëm formimin e institucioneve

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

​Lëvizja Vetëvendosje, vendimin e sotëm për shtyrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas kërkesës së Listës Serbe, e konsideron si të pa arsyeshme dhe sipas tyre ky vendim është marrë me qellim ngase Thaçi nuk dëshiron ta lëshojë pushtetin.

“Në një përpjekje për krijimin e mekanizmave institucionalë paralelë, sot PDK-ja e pashpresë ndërmori edhe hapin e fundit për pengimin e krijimit të institucioneve: së bashku me Listën Serbe e shtynë për një javë seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ne jemi të bindur që veprimi i sotëm i znj. Brovina nuk ishte vendim i saj personal, por një strategji e qartë partiake. Jemi thellësisht të pakënaqur që znj.Brovina dhe PDK-ja iu nënshtruan një kërkese fare të paarsyeshme të Listës Serbe. Nuk ka pasur kurrfarë justifikimi për shtyrjen e një seance edhe ashtu tejet të vonuar vetëm e vetëm pse Thaçi nuk dëshiron ta lëshojë pushtetin”, thuhet në një komunikatë për media nga VV.

VV vlerëson se shtyrja e seancës ishte e qëllimshme dhe e nxitur drejtpërdrejt nga partia e Kryeministrit të shkuar e cila nuk po lë gur pa lëvizur në funksion të evitimit të ngjarjes e cila do ta shpallte fillimin e humbjes përfundimtare të krimit të organizuar në Kosovë.

“Në fakt, kjo nxitje e PDK-së u parapri nga urdhri publik nga Beogradi mbi atë se si duhet të duket Qeveria e ardhshme e Kosovës. Mirëpo, Serbia nuk mund të vendos për përbërjen e Qeverisë së Kosovës dhe kohën e formimit të institucioneve të Republikës sonë” thuhet me tej në komunikatë.

UBT

Sipas VV-së qytetarët e Kosovës me padurim e kanë pritur dhe e presin krijimin sa më të shpejtë të institucioneve. Për ta kjo është një e drejtë elementare e qytetarëve si dhe obligim i të zgjedhurve.

“Përveç kësaj, edhe faktorët ndërkombëtarë e kanë kërkuar me ngulm krijimin sa më të shpejtë të institucioneve. Bile edhe opozita e ardhshme e Kuvendit, PDK-ja, u deklarua para dy ditësh se shtyrja e seancës është plotësisht e panevojshme. Kurse sot u vërtetua edhe një herë se është pikërisht ky subjekt politik që po i bën të gjitha drejt zvarritjes sepse nuk po dëshiron të përballet me të vërtetën e numrave të demokracisë në ditën e themelimit të Kuvendit”, thuhet në komunikatën e VV.

Sipas këtij subjekt politik PDK duhet të sprapset nga uzurpimi i shtetit. Dhe, dakordimi i të gjitha subjekteve politike shqiptare duhet t’i japë fund kapjes së shtetit.