ARKATANA

LAN-i s’e zgjidhë ngërçin pa PDK-në ose VV-në

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Artan Muhaxhiri, ka thënë se koalicioni LDK-AAK-Nisma është treguar rigoroz sa i përket ftesës së Flora Brovinës për takimin lidhur me caktimin e datës për vazhdimin e seancës konstituive.

Ai ka vlerësuar se konteksti politik tani është në një fazë shumë delikate.

“Është e dukshme tani se pa një vullnet dhe pa një dakordim të liderëve politikë për tejkalimin e këtij problemi, ngërçi nuk do të zgjidhet”, ka vlerësuar Muhaxhiri.

Sa i përket ftesës nga Brovina, ai ka konstatuar se blloku ka qenë shumë rigoroz.

“Nuk mund ta di se deri kur mund të qëndrojë blloku me këtë refuzim, sepse gjendja për aq sa është problematike, është e rëndë. Nëse blloku vazhdon me këtë refuzim, ky është vendim i tyre, por nuk është e qartë se si do të procedojë dhe se si e sheh zgjidhjen. Pra, deri më tani kemi vetëm refuzim, por nuk kemi ndonjë opsion realist të zgjidhjes së problemit nga ana e këtij blloku”, ka deklaruar për “Epokën e re” Muhaxhiri.

Ai ka thënë se veprimet e bllokut nuk janë duke i kontribuar zgjidhjes së ngërçit politik.

Mobi Casa

Sipas Muhaxhirit, pa një marrëveshje politike në mes të aktorëve politikë nuk mund të tejkalohet kjo gjendje.

“Në politikë gjërat më normale janë bisedat dhe marrëveshjet. Dhe blloku me këtë refuzim nuk është duke vepruar sipas mënyrës e cila çon drejt zgjidhjes së problemeve. Është shumë e qartë se blloku nuk mund ta zgjidhë ngërçin pa PDK-në ose pa Vetëvendosje!-n. Do të thotë, aktualisht blloku nuk ka marrëveshje as me PDK-në e as me Vetëvendosje!-n. Vërtet është një enigmë se si do ta zgjidhë blloku këtë problem. Prandaj takimet, bisedat dhe marrëveshjet janë gjeja më normale në politikë. Edhe armiqtë më të mëdhenj takohen mes vete për të diskutuar. Ne sot po shohim se si izraelitët dhe palestinezët po takohen mes vete edhe pse janë në luftë apo takimet në mes të Rusisë dhe Ukrainës. Pa biseda dhe pa marrëveshje nuk mund të ketë zgjidhje normale dhe stabile të këtij ngërçi”, është shprehur Muhaxhiri.

Muhaxhiri ka shtuar se nëse liderët e koalicionit paszgjedhor nuk u përgjigjen ftesave të përfaqësuesve të institucioneve vendore, ata do të obligohen t’u përgjigjen ftesave të ndërkombëtare sepse, sipas tij, pa një marrëveshje nuk mund të tejkalohet ngërçi politik.

“Nëse ata nuk i përgjigjen ftesës së Brovinës, atëherë ndoshta do të duhej t’i përgjigjeshin ftesës së presidentes, sepse nëse refuzojnë t’u përgjigjen ftesave të përfaqësuesve të institucioneve të vendit, atëherë do të obligohen t’u përgjigjen ftesave të ndërkombëtarëve. Nuk ka kurrfarë mundësie të zgjidhet ky ngërç politik pa biseda dhe pa takime. Pra, nëse blloku nuk takohet me vullnet, atëherë sigurisht do të takohet me imponim nga ndonjë faktor i fuqishëm politik”, ka theksuar Muhaxhiri, duke shtuar se ditët në vijim do të jenë shumë të tensionuara.

“Koha e paraparë për zgjidhjen e kësaj çështje dhe formimin e institucioneve pothuajse ka përfunduar. Tash jemi në një fazë kur duhet të këtë një vendim definitiv për zgjidhjen e këtij ngërçi”, ka thënë Muhaxhiri. /epoka e re/