LAN-i s’i bindet as presidentes!
As ndërhyrja e presidentes Atifete Jahjaga nuk pritet ta zgjidhë ngërçin politik në të cilin është futur vendi pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit. Treshja LDK-AAK-Nisma po zotohen se askush nuk do të mund t’i bindë që të arrijnë ndonjë marrëveshje me PDK-në për krijimin e institucioneve të reja. Madje këtë qëndrim të LAN-it nuk pritet ta ndryshojë as presidentja si unifikuese e spektrit politik në vend.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së tij se askush nuk do të mund ta ndryshojë qëndrimin e LAN-it karshi PDK-së. Sipas tij, partia e Hashim Thaçit e ka vendin në opozitë dhe s’ka kthim prapa. “Qëndrimi ynë ka qenë, është dhe do të mbetet i tillë, PDK në opozitë”, ka thënë Beqiri për gazetën Tribuna.
Ai ka shtuar se Kosova ka nevojë urgjentisht për ndryshime, dhe këto ndryshime, sipas tij, do të bëhen në qeverisjen LDK-AAK-Nisma. “Ne do t’i formojmë institucionet, sepse Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë për ndryshime. Kemi nevojë për rënd, ligj dhe zhvillim ekonomik dhe të gjitha këto do t’i arrijmë pa PDK-në”, ka thënë Beqiri…(Tribuna).

