Reagon Hasani: S’jam besnik i Thaçit
Enver Hasni ka reaguar ndaj një shkrimi të botuar në gazetën gjermane “FrankfurterAllgemeineZeitung”. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasni ka reaguar ndaj një shkrimi të botuar në gazetën gjermane “FrankfurterAllgemeineZeitung”, ku thuhej se ai ishte i “anshëm” në rastin e vendimmarrjes për çështjet aktuale të cilat gjendeshin në gjykim e sipër në Gjykatën Kushtetuese.Hasani ka thënë se Gjykata dhe ai ushtrojnë detyra të lirë nga çdo ndikim politik.
Ja reagimi i plotë:
Në artikullin e FAZ-it, “Çdo gjë, apo asgjë”, të 27 korrikut 2014, gazetari juaj, MichaelMartens, bën komentet si në vijim për mua dhe për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës:
“Gjykata Kushtetuese, kryetari i së cilës, Enver Hasani, konsiderohet si besnik i Thaçit, PDK-së i dha përkohësisht të drejtë me vendim për masë të përkohshme. Tani, të gjithë janë në pritje të vendimit përfundimtar të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”.
Në këtë mënyrë, artikulli i sugjeron lexuesit tuaj një lidhje të përmbajtjes së vendimit të Gjykatës për masë të përkohshme në rastin Nr. KO119/14 dhe konsideratave politike në favor të një partie të caktuar, ose të liderit të kësaj partie.
Një aludim i tillë është arbitrar dhe i pakuptimtë.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 112, paragrafi 2, e obligon Gjykatën Kushtetuese për pavarësi të plotë në kryerjen e detyrave të saj. Në përputhje me këtë mandat kushtetues, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, si dhe unë në kapacitetin tim si Kryetar i Gjykatës, ushtrojmë detyra që na janë besuar, të lirë nga çdo ndikim politik ose nga çdo ndikim i llojit tjetër.
Gjykata Kushtetuese respekton në plotni lirinë e shprehjes dhe të shtypit, por pret që aludimet e tilla të jenë të justifikuara në mënyrë adekuate.


