FIDANISHTJA

Drejtësia si “Baba”

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Lavdim Hamidi – Enver Hasani, i njohur në opinion me nofkën “Baba”, si konfuz që është në paraqitjet publike, të martën e publikoi një aktgjykim edhe më konfuz të Gjykatës Kushtetuese, të cilën e drejton.

Zakonisht kur ndahet drejtësia në Gjykata, çdo gjë do të duhej të ishte e qartë për të gjitha palët dhe nuk do të duhej të lihej hapësira për interpretime të ndryshme, sipas qejfeve të gjithkujt. E sidomos Kushtetuesja, si instanca e fundit e drejtësisë, do të duhej të ishte saktësisht e qartë dhe e artikuluar.

Gjykata të martën njoftoi se e pranoi kërkesën e PDK-së në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit më 17 korrik dhe kjo u mjaftoi “tellallëve” të kësaj partie të dalin të parët dhe ta japin “haberin” se tashmë përfundimisht janë hequr të gjitha dilemat dhe se kryeparlamentari u takon veç atyre.

Ja që dilemat s’u hoqën as pas këtij vendimi për drejtuesit e partive të Bllokut, të cilët pavarësisht akuzave ndaj Gjykatës për favorizim të PDK-së, thanë se e kanë zgjidhjen që kërkon Gjykata Kushtetuese, përkatësisht në pikën 127 të vendimit të saj, e cila thotë se deputetët duhet të ofrojnë zgjidhje, nëse PDK-ja nuk i ka numrat e nevojshëm për kryeparlamentarin.

UBT

Ramush Haradinaj, i cili ka kohë që dëshiron “me punu” si kryeministër, tha se mundësia e PDK-së që ia ka dhënë Gjykata do të dështojë. Pra, përfundimisht, siç tha ai, LAN-i s’do ta votojë kandidatin e kësaj partie për kryeparlamentar.

Megjithatë, aktgjykimi e njeh të drejtën ekskluzive të PDK-së që në seancën konstituive të jetë vetëm ajo që ka të drejtën të bëjë propozimin për kryeparlamentarin, pavarësisht se për ta arritur një gjë të tillë i mungojnë hiç më pak se 24 vota të deputetëve. E kur dihet që aq shumë vota i mungojnë PDK-së, insistimi i kësaj partie për një kryeparlamentar pa i pasur votat e nevojshme të deputetëve është shumë i pakuptimtë, e sidomos kur kihet parasysh fakti se asnjë subjekt politik parlamentar, madje as minoritetet, s’dëshirojnë ta votojnë kandidatin e tyre.

Edhe formulimet e “tredhura” të Kushtetueses nuk është dashur të shfrytëzohen pafundësisht në seanca të Kuvendit nga partia e kryeministrit në detyrë për zgjedhjen e kryeparlamentarit, pasi që s’do të ishte shembull i mirë për demokracinë nëse i pari i këtij institucioni zgjidhet me vota të kontrabanduara të deputetëve nga Blloku, të cilët edhe nëse kanë thënë se nuk blihen me para, ka mundësi të blihen “për shumë para”.

Me vendimin e fundit të Kushtetueses, hiq këtu deklaratat politike, mundësi të vogla kanë Isa Mustafa e Ramush Haradinaj të punojnë në krye të legjislativit e të ekzekutivit të ri, e më shumë mundësi ka vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, pas një marrëveshjeje politike. Fundja, më keq se që është vështirë se do të bëhet edhe nëse shkohet në zgjedhje.