Bajrami, Bllokut: Mos shpresoni, por lexojeni rregulloren e Kuvendit
Nënkryetari i PDK-së, Arsim Bajrami, ka reaguar pas deklaratës së bllokut LDK-AAK-Nisma se do të bazohen në Nenin 117 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Një argument shtesë është se grupi parlamentar, në kuptimin më të ngushtë të fjalës (in stricto sensu), dhe sipas Rregullores së punës të Kuvendit e Shtojcave të saj, mund të regjistrohet vetëm pas konstituimit të Kuvendit, pra, pas zgjedhjes se Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit”, thuhet në nenin 117 të Aktgjykimit.
Por, Bajrami thotë se “para se të shpresohet, është edhe më mirë të lexohet Rregullorja e Kuvendit të Kosovës”.
“Neni 14 – Mandati i Kryesisë (faqe 6)
3. Kryetari i Kuvendit mund t’ia paraqesë dorëheqjen Kuvendit. Aktin e dorëheqjes me shkrim ia dorëzon paraprakisht Kryesisë së Kuvendit. Pas miratimit të dorëheqjes, partia politike ose koalicioni, që e ka emëruar Kryetarin e mëparshëm të Kuvendit propozon kandidat të ri për kryetar.
4. E njëjta procedurë zbatohet edhe në rast të dorëheqjes së ndonjërit nga anëtarët e Kryesisë.
5. Shkarkimi i Kryetarit ose i anëtarit të Kryesisë së Kuvendit, me propozim të partisë politike ose të grupit, që e ka propozuar, bëhet sipas procedurës së zgjedhjes së tyre”, ka shkruar Bajrami në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/


