FIDANISHTJA

Agnesa: Nuk ka asgjë të re, jam e fokusuar në karrierë!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Puna me dizajnimin e këpucëve po i ecën shumë mirë, kështu të paktën ka thënë Agnesa Vuthaj në një bisedë për gazetën Tribuna. Ajo ndër të tjera ka shpalosur edhe shumëçka rreth angazhimeve, planeve por edhe jetës së saj private…

Është njëra ndër femrat më të bukura të estradës shqiptare. Bëhet fjalë për Agnesa Vuthaj e cila jo shumë kohë më parë ka filluar ta sprovojë veten edhe në dizajn. Dyqani i saj me rroba dhe këpucë duket se bukuroshes nga Istogu po i ecën shumë mirë, pasi që edhe vetë ajo shprehet shumë e kënaqur në një bisedë për gazetën Tribuna.

“Puna në butik po shkon shumë mirë. Këpucët po pëlqehen shumë, pa përjashtuar edhe rrobat që i kam në dyqan. Tani jam në përgatitje të koleksionit të këpucëve për vjeshtë-dimër”, ka thënë Agnesa në fillim të bisedës, ndërsa ka treguar se edhe për këtë koleksion do të bashkëpunojë me disenjatorë italianë.

“Bashkëpunoj me disenjatorë nga Italia”, ka thënë ajo duke theksuar se nuk ka bashkëpunim me disenjatorë vendës. “Jo me disenjatorët e Kosovës nuk kam bashkëpunim, pasi që të gjithë disenjatorët tanë të famshëm kanë atelietë e tyre”. Ndër të tjera Vuthaj ka bërë të ditur se në dyqanin e saj po e gjejnë veten shumë njerëz, ndër ta edhe fytyra publike.

“Ka fytyra tona publike që blejnë në dyqanin tim, ka edhe zonja që kanë karrierë, profesoresha, mjeke e profile tjera të ndryshme”.

Eco Higjiena

Besoj që do të filloj të shkruaj

E meqë në treg janë lansuar vetëm këpucë për femra nga Agnesa Vuthaj, ajo nënvizon se tani për tani kështu do të vazhdojë pavarësisht kërkesës së madhe që kanë gjinia mashkullore për të pasur këpucë me nënshkrim të bukuroshes Vuthaj. “Jo, për momentin jam e fokusuar në gjininë femërore, se e njoh më mirë modën e femrave”, ka thënë Vuthaj.

Ndryshe në pyetjen se a do të vazhdojë studimet për dizajn meqë i ka hyrë fuqishëm kësaj sfere, ajo ka thënë. “Jo unë kam studiuar për Shkenca Politike dhe gazetari. Nuk jam e interesuar të përfundoj edhe fakultetin për dizajn. I kam idetë e mia, po ashtu edhe bashkëpunimin me disenjatorët”.
E si shumë fytyra tjera publike që janë sprovuar në shumë fusha, Agnesa Vuthaj thotë se i pëlqen ta sprovojë veten vetëm aty ku mendon se është e suksesshme. E kështu tregon se një herë ka qenë pjesë e një filmi, ndërsa me politikë e muzikë nuk mendon të merret ndonjëherë. “Kam provuar të luaj në një film të metrazhit të shkurtër. Ai film është quajtur ‘Shkallët’ dhe ka qenë fitues i Festivalit Internacional të Tiranës.

Ndërsa me muzikë nuk kam provuar dhe nuk do merrem ndonjëherë, as me politikë nuk jam marrë dhe nuk mendoj që do aktivizohem njëherë për njëherë. Kurse gazetaria më pëlqen, më pëlqen të shkruaj dhe besoj që do të filloj të shkruaj. Unë në parim merrem vetëm me atë që mendoj se mund të kem sukses”, ka shtuar ajo.

Ndonëse njihet si njëra ndër më të bukurat në vendin tonë, ajo ende është vetëm. Sipas Agnesës fokusi i saj tani për tani është në karrierë, andaj edhe nuk ka asgjë të re. “Nuk ka asgjë të re në jetën time private. Jam e fokusuar në karrierë”. (Erdonit Hoxha)