Ekspertët e LDK-së, ministra të ardhshëm të kabinetit qeveritar!
Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Vjosa Osmani e Arben Gashi, janë vetëm disa nga emrat e atyre që drejtojnë grupet e ekspertëve të LDK-së, që mund të jenë pjesë e kabinetit qeveritar.
Nga 7 Këshilla të ekspertëve që funksionojnë brenda LDK-së, janë mbi 70 anëtarë, të cilët me kontributin e tyre të vazhdueshëm jo vetëm brenda partisë, kanë arritur të identifikojnë mangësitë dhe lëshimet që ka bërë qeverisja aktuale e drejtuar nga PDK-ja në fushat me rëndësi esenciale të
funksionimit normal të një shteti.
Kritikat e tyre ndaj qeverisjes aktuale ata i kanë vënë si pjesë e programit të partisë ku edhe do të intervenohet me të marrë pushtetin.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, njëherësh kryesues i këshillave të LDK-së nuk ka dashur të flasë nëse njerëzit që kanë drejtuar grupet e ekspertëve do të jenë ministra të ardhshëm të kabinetit qeverisës, me arsyetimin se një gjë e tillë ende nuk është diskutuar.
Megjithatë ai vlerëson lartë punën dhe kontributin e ekspertëve në programin qeverisës, i cili do të
jetë bazë për qeverisjen e ardhshme.
“Nuk mund të them a do të prezantohet dikush nga ekspertët në Qeveri pasi është herët të flitet për këtë. Sapo të ri-funksionalizohet Kuvendi i Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Blloku do të ulet të bisedojë edhe për këtë temë dhe të definojë në detale qeverisjen e ardhshme katërvjeçare. Ende nuk kemi arritur në pikën që ka të bëjë me ndarjen e posteve ministrore”, është shprehur Hoti. /botapress/


