Haxhiu: Kushtetuesja nuk duhej ta pranonte kërkesën e PDK-së
Në seancën dëgjimore të 21 gushtit në Gjykatën Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje do të përfaqësohet nga deputetja Albulena Haxhiu dhe këshilltari ligjor, Armend Shkoza. Lajmin e konfirmoi vetë deputetja Albulena Haxhiu, duke folur në RTV22.
“Ne dy do të marrim pjesë në seancën dëgjimore, aty do të kemi kohë 10 minuta për t’i paraqitur qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Haxhiu.
Ajo tha se argumentet e VV-së në këtë seancë janë publike, dhe janë deklaruar nga anëtarë të saj.
“E para, Gjykata Kushtetuese është dashur që të shpallë të papranueshme kërkesën e PDK-së, për shkak se Gjykata Kushtetuese nuk merret me interpretimin e rregullores së punës së Kuvendit mirëpo me çështjet kushtetuese. Dhe së dyti, Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë që të interpretoj kush është grupi më i madh parlamentar, kjo është mjaft e qartë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pra ku thuhet se grupi më i madh parlamentar është ai që e ka shumicën në Kuvend”, tha Haxhiu.
Ajo tha se PDK duhet të dënohet për dëmet, të cilat sipas saj kjo parti ia ka bërë Kosovës.
Haxhiu tha se VV, nuk bëhet pjesë e një qeverie gjithëpërfshirëse me PDK-në. Ndërkohë, tha se lidhur me qeverinë gjithëpërfshirëse nuk kanë diskutuar me LDK-AAK-NISMA. /Telegrafi/


