Mobi Casa

Si ta dallojmë ekstremizmin islam?

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Nehat Hyseni – Debatet rreth ekstremizmit fetar në Kosovë dhe në viset tjera të banuara me shqiptarë janë bërë temë e nxehtë kohëve të fundit.

Alarmin për paraqitjen e rrezikut real nga ekstremizmi islam e ndezi sidomos skena makabre e të riut shqiptar nga rrethina e Kaçanikut, Lavdrim Muhaxheri, i rekrutuar në luftën e Sirisë, e publikuar në internet dhe mediet tjera, duke ekzekutuar me thikë një person.

Kjo skenë së shpejti mori dhenë dhe i ndezi dritat e alarmit për rrezikun e ekstremizmit fetar në Kosovë. Madje reagoi edhe Presidentja Jahjaga, e cila brenda pak ditësh mbajti dy takime me kreun shtetëror të Kosovës, me qëllim të mobilizimit të të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës për t’u mbrojtur nga kjo dukuri e rrezikshme shoqërore.

Por, me këtë rast, shfaqet nevoja e dallimit midis ekstremizmit fetar dhe besimtarëve të devotshëm fetarë. A thua, shoqëria shqiptare, veçanërisht ajo kosovare, e ka të qartë dallimin midis dy kategorive të përmendura?

Druaj se, sidomos kur bëhet fjalë për fenë islame, gjërat shpeshherë ngatërrohen, ngjashëm me situatën e viteve të tetëdhjeta, pas demonstratave të vitit 1981, kur luftohej “nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar”dhe kur kufiri ndarës midis nacionales dhe nacionalistes, kur ishte fjala për shqiptarët, ishte shlyer fare!
Natyrisht, duke i futur në një kallëp të gjitha vlerat e mirëfillta kombëtare të shqiptarëve dhe duke i cilësuar si negative dhe të dëmshme, që atëbotë përmblidheshin me termin me konotacion negative, “nacionalizëm”.

Druaj se edhe tani, duke dashur që ta luftojmë ekstremizmin fetar në Kosovë, e veçanërisht ekstremizmin mysliman, mund të biem në grackat e përmendura sikur veprohej dikur me “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar, po që se nuk e ndajmë qartë “shapin prej sheqerit”, dmth po që se nuk e përkufizojmë në mënyrë eksplicite nocionin e “myslimanit të devotshëm”, normal, etj., nga “ekstremizmi islam”.

Çka quajmë ekstremizëm islam?
Sipas mendimit tim, së pari duhet bërë një analize të shkurtër, qoftë edhe sipërfaqësore, të gjendjes së komunitetit mysliman të shqiptarëve në përgjithësi, dhe të shqiptarëve mysliman të Kosovës, në veçanti.

Prandaj, për këtë qëllim, për arsye metodologjike, mendoj se duhet ndarë disa kategori myslimanësh:

Myslimanët e rëndomtë
Myslimanët e devotshëm
Ekstremistët islamikë
1. Sa i përket kategorisë së myslimanëve të rëndomtë, të cilët përbëjnë shumicën absolute të komunitetit mysliman në përgjithësi, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës. Madje, kjo kategori përfshinë mbi gjysmën e shqiptarëve, kudo që janë.

Në këtë grup përfshijmë shqiptarët myslimanë, të cilët kryesisht nuk e falin fare namazin, ose e falin vetëm ditëve të premte dhe pjesërisht ndonjëherë namazet tjera, nuk e agjërojnë fare, apo pjesërisht e agjërojnë Ramazanin, por të gjithë, ose pjesa absolute e tyre i festojnë festat fetare, Bajramin, nuk e praktikojnë mbulesën fetare (shaminë) të femrave, kryesisht nuk e konsumojnë mishin e derrit dhe në fund fare, të gjithë varrosen me rite fetare islamike.

Ndoshta këto do të ishin karakteristikat e përbashkëta për këtë kategori besimtarësh myslimanë, edhe pse ato dallojnë sipas viseve të ndryshme shqiptare.
2. Myslimanët e devotshëm, apo praktikuesit e rregullt të normave dhe rregullave fetare islamike përfshijnë grupin e besimtarëve myslimanë të cilët në mënyrë strikte e falin namazin pesë herë në ditë, praktikojnë mbulesën e femrave, agjërojnë muajin e Ramazanit dhe faljen e namazit të teravive, një pjesë e tyre lëshojnë mjekra tipike islame, absolutisht nuk e konsumojnë alkoolin, nuk u përzihen të tjerëve, por të njëjtën e kërkojnë edhe nga të tjerët, absolutisht nuk e konsumojnë mishin e derrit, etj.
3. Ekstremistët islamikë karakterizohen me agresivitet, jotolerancë, me gatishmëri që ta përdorin dhunën ndaj “pabesimtarëve”, bëjnë kategorizimin e njerëzve në “besimtarë” dhe “jobesimtarë”; pjesëtarët e sekteve dhe shkollave të tjera të islamit i quajnë të “pa fe” dhe “jobesimtarë”, prandaj edhe e konsiderojnë obligim luftën ndaj tyre dhe e konsiderojnë legjitime dhunën ndaj të tjerëve.

Ata janë të gatshëm të luftojnë “për Allah” dhe të kryejnë krime të rënda. Kanë prirje dhe synime ta fusin islamin në politikë dhe kundërshtarët e tyre ideologjikë i quajnë si caqe legjitime për ushtrim dhune.

Uji Dea

Duhet theksuar se,edhe pse thirren në islam, veprimet e tyre makabre nuk kanë asgjë të përbashkët me normat islame.
Veprimi i tyre shkatërrues vërehet gjithandej në botën islamike, si psh. në Afganistan, në luftën e Sirisë, në Irak me formimin e të ashtuquajturit shtetit islamik ISSIS, në Libi, dhe pothuajse në të gjitha shtetet e tjera islamike.

Ata nuk hezitojnë të sulmojnë madje edhe xhamitë e sekteve të tjera islamike, duke hedhur shpesh edhe bomba gjatë frekuentimit të tyre më të madh gjatë festave fetare apo gjatë faljes së namazit të xhumasë ditëve të premte.

Ekstremistët islamikë, edhe pse thirren në islam, ata paraqesin pikërisht antipodin e islamit dhe normave të mirëfillta të islamit si fe paqedashëse dhe solidarizuese me të dobëtit dhe të vobektët.

Metodat e tyre të veprimit janë të papranueshme dhe ata thellë e kanë njollosur fenë islame në botë me veprimet e tyre terroriste, duke e etiketuar kështu në botë tërë fenë islame si fe terroriste.

Pra, dallojmë një spektër të gjerë të (mos) praktikimit të islamit tek ne dhe kam përshtypjen se shpesh i ngatërrojmë këto nocione.
Sidomos bien në sy prirja për të mos i dalluar myslimanët e devotshëm nga ekstremistët islamë në Shqipëri.

Kjo dukuri bien në sy sidomos në kulturën e të ushqyerit. Meqë në Shqipëri, për dallim nga shqiptarët myslimanë nga Kosova, Maqedonia, Presheva dhe Mali i Zi, që rreptësisht i përmbahen mosngrënies së mishit të derrit, myslimanët e Shqipërisë, në pjesën më të madhe, madje thuhet se mbi 90% e tyre nuk e përfillin fare, ose vetëm pjesërisht e respektojnë këtë tabu islam.

Kështu, gjatë pushimeve dhe qëndrimit në Shqipëri, shqiptarët myslimanë të këtyre trevave ballafaqohen me probleme rreth ushqimit, duke u orientuar tek shitoret me ushqim “hallall” dhe në restorantet ku kanë besim.

Pikërisht ky fakt, më ka rënë shumë herë rasti që ta dëgjoj me veshët e mi se cilësohet si “ekstremizëm” islamikë, paçka se tek ne në Kosovë dhe viset e tjera të banuar me shqiptarë myslimanë, cilësohet si normë elementare e praktikimit të islamit.

Pastaj, agjërimi i Ramazanit dhe falja e rregullt e namazit, gjithashtu shpeshherë cilësohet si ekstremizëm, apo radikalizëm islamik.
Pra, i veçova vetëm disa shembuj sa për të ilustruar faktin se si ngatërrohen në jetën e përditëshme nocionet e myslimanit të devotshëm dhe normal, me atë të ekstremizmit, apo të radikalizmit islamik.

Natyrisht se ngatërrimi i tillë kategorisë së myslimanëve të devotshëm me ekstremistët islamikë, gjithashtu sjellë dëme të mëdha në shoqërinë tonë.
Sepse, praktikuesit e devotshëm të islamit janë qytetarë të ndershëm të shoqërisë tone, të cilët kanë të drejtë që t’i shfrytëzojnë frytet e demokracisë dhe t’i praktikojnë lutjet fetare dhe besimin a vet fetarë, absolutisht të papenguar nga askush.

Ata janë kontribuues të shoqërisë tone dhe paraqesin qytetarë shumë të dobishëm në shoqëri, meqë me pastërtinë e tyre morale e shpirtërore I kontribuojnë luftimit të dukurive negative në shoqëri, si psh. luftës kundër drogës, prostitucionit, dhunës, jomoralitetit, etj., kurse ekstremistët islamikë janë e kundërta e tyre, të cilët mbjellin gjithkah dhunë e terror.